Këto pamje shkatërrimesh tregojnë atë çfarë ka lënë pas uragani Milton, që përshkoi mes përmes Floridën, të Mërkurën dhe të Enjten. Numri i viktimave ka arritur në 16. Ekipet e emergjencës presin që bilanci të rëndohet, teksa po vijojnë operacionet e kërkim shpëtimit në terren.

Ndonëse nuk ishin ato më katastrofiket që parashikoheshin, shkatërrimet janë në shkallë të gjerë. Zona të tëra të banuara janë rrafshuar. Energjia është rikthyer tek një pjesë e banorëve të zonave qendrore të Floridës, megjithatë, dëmet në sistemin e transmetimit janë të rënda dhe ende mbi 2 milionë shtëpi e biznese mbeten në errësirë.

Disa zona janë ende nën pushtetin e ujit, ku niveli mbetet në gjysmë metri, çka e bën ende të pamundur hyrjen atje, përveçse me varka. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të mos rikthehen në shtëpitë e tyre, pasi pritet një tjetër përkeqësim i motit dhe rreziku u përmbytjeve ende nuk ka kaluar.

Ndonëse ende nuk ka nisur të bëhet bilanci financiar, dëmet parashikohet të arrijnë në gati 180 miliardë dollarë.

Tv Klan