Kryedemokrati Sali Berisha ka ftuar të kontribuojnë në PD për zgjedhjet e 11 Majit deputetët të cilët u lanë jashtë listës së mbyllur, edhe pse publikisht kanë shfaqur pakënaqësi për këtë vendim.
Nga Elbasani ku zhvilloi një takim me kandidatët për deputet në këtë qark, Berisha thotë se vetëm të bashkuar, opozita mund të triumfojë ndaj qeverisë.
“Deputetët që nuk janë në lista unë i ftoj që të kontribuojnë. Në politikë udhëtimi nuk është vetëm me një finish, sot nuk u zgjodhe nesër zgjidhesh”, tha Sali Berisha.
Kandidatët e këtij qarku i porositi që të mos bien pre e provokimeve të qeverisë.
“Ata le të flasin, për këto, ato, ne do flasim për programin tonë”, u shpreh kryedemokrati.
Ironitë e Kryeministri Edi Rama për Dashnor Sulën dhe aleatin Kujtim Gjuzi, i cilëson strategji për të zhvendosur vëmendjen e qytetarëve nga programi i PD.
“Merren me Dash Sulën dhe me mustaqet e tuja (i drejtohet Kujtim Gjuzit). Këta duan që të eklipsojnë me propagandën e tyre një program madhështor, një program që shqiptarët se kanë patur kurrë përpara këtij”, tha Berisha.
Edhe pse partitë opozitare që janë jashtë koalicionit të PD i konsideron paterica të qeverisë, Berisha fajëson PS se me ndryshimet e Kodit Zgjedhor e ka bërë garën elektorale të padrejtë.
“Një padrejtësi e diktuar nga Edi Rama në vitin 2021 me të cilin ky synoi të shfarosë partitë e vogla”, u shpreh Sali Berisha.
Teksa premtoi investime në infrastrukturë, Berisha thotë se prioritet do të jetë by pass-i i Elbasanit si dhe investimet për rritjen e prodhimit vendas.
Klan News