Lajme, #edicioniinformativ ora 19:30 data 2 Shkurt 2025 #TvKlan #klanlajme

Spiker: Reis Çiço

Headlines – 2 Shkurt 2025

Rama: Shqipëria po bëhet, agroturizmi, industri reale. Me 11 maj do të pastrohet llumi
Kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria po bën progres dhe se agroturizmi është bërë një industri reale. Në përgjigje të komenteve në rrjetet sociale, ai nënvizoi se më 11 maj do të pastrohet edhe “llumi i shpifjeve”.

Shqiptarët po udhëtojnë më shumë, 7.9 milionë dalje gjatë vitit 2024. Trend: udhëtime për blerje
Rritje të ndjeshme ka patur jo vetëm në hyrjet, por edhe në daljet nga Shqipëria. Gjatë vitit 2024, rreth 7.9 milionë persona udhëtuan jashtë vendit. Turoperatorët theksojnë se, përveç turizmit, një trend i ri janë udhëtimet e shkurtra për blerje.

Meloni nuk tërhiqet, gati dekreti që ndalon gjyqtarët e emigracionit të vendosin edhe në apel
Pas kthimit në Itali të grupit të tretë të emigrantëve, qeveria Meloni ka përgatitur një nismë për të mbajtur aktiv kampin e Gjadrit. Sipas mediave italiane, dekreti i ri ka për qëllim t’u heqë gjykatësve të emigracionit të drejtën për të marrë vendime edhe në Apel.

Rriten shpenzimet për dëmet që shkaktohen nga aksidentet, në rënie vlera e paguar nga sigurimet
Për dëmet e aksidenteve rrugore në vitin 2024, kompanitë e sigurimeve kanë paguar 4.27 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej afro 26%. Megjithatë, kjo shifër është vetëm 1/3 e shumës totale që qytetarët kanë paguar për sigurimin.

Ikja e “bluzave të bardha” nuk ndalet: Në 5 vjet, 800 mjekë të larguar jashtë vendit
Largimi i mjekëve nga Shqipëria vazhdon edhe në vitin 2024. Sipas të dhënave të siguruara nga TV Klan, gjatë vitit të kaluar janë larguar 146 mjekë, ndërsa në pesë vitet e fundit ky numër arrin në rreth 800.

Tragjedi në Kosovë: Shembet ndërtesa e braktisur, humbin jetën 3 fëmijë
Një tragjedi ka ndodhur në Gjakovë të Kosovës, ku tre fëmijë të moshës 14 dhe 15 vjeç kanë humbur jetën. Ata ishin duke luajtur në një ndërtesë të pabanuar kur u zënë poshtë nga shembja e taracës së saj.

Trump vendos tarifa të larta importi për Kinën, Kanadën dhe Meksikën. Hyjnë në fuqi të martën
Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar urdhrin për vendosjen e tarifave të larta për importet nga Kina, Kanada dhe Meksika, të cilat do të hyjnë në fuqi të martën. Otava, Meksiko dhe Pekini kanë paralajmëruar masa reciproke si kundërpërgjigje.

/tvklan.al