Aktorja e famshme Meryl Streep ka kritikuar regjimin e talebanëve në Afganistan, që u kanë hequr grave shumë të drejta.
Duke folur në një panel në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Meryl Streep u shpreh se një ketër ka më shumë të drejta se gratë e Afganistanit.
“Një ketër ka më shumë të drejta se një vajzë sot në Afganistan, sepse parqet publike për gratë dhe vajzat janë mbyllur nga talebanët. Një zog mund të këndojë në Kabul, por një vajzë dhe një grua mund të mos këndojnë në publik”, tha aktorja në fjalën e saj.
Tre vitet e fundit prej kur talebanët kanë marrë kontrollin në Afganistan, kanë kufizuar liritë dhe të drejtat e grave.
Kështu, grave u është ndaluar të punojnë, të qëndrojnë në parqe publike, ndërsa vajzat nuk lejohet të ndjekin gjimnazin ose studimet në Universitet.
Muajin e kaluar, talebanët publikuan ligje të reja ku ndalohet që gratë të dalin nga shtëpia pa u mbuluar plotësisht dhe nuk mund të këndojnë në publik.
Duke marrë shkas nga këto ligje, aktorja Meryl Streep dhe aktivistë afganë i bënë thirrje OKB-së që të ndërhyjë për t’u rikthyer të drejtat e vajzave dhe grave në Afganistan.
/tvklan.al