Bushati: Hapim ekonominë pas goditjeve të tërmetit dhe pandemisë
Nisma për miratimin brenda muajit të ardhshëm të ligjit për të kryer një amnisti të përgjithshme fiskale dhe të kapitalit, për deputetin socialist Ervin Bushati është e domosdoshme tani më shumë se kurrë.
Bushati sqaron se sot është koha për të bërë amnistinë, në mënyrë që ekonomia të hapet, kapitali të investohet dhe nga ana tjetër sistemi i drejtësisë pas reformës do të kontrollojë më mirë paratë që vijnë nga aktivitete kriminale.
Megjithatë nuk do të përfshihen në amnisti zyrtarët e lartë, gjyqtarët e prokurorët dhe politikanët. Ervin Bushati thotë se kur ligji të diskutohet në komision, do të shihet edhe rrethi i familjarëve që do të përjashtohen nga nisma.
Shuma që pritet të legalizohet mund të arrijë në një shifër prej më shumë se 5 miliard dollarësh.
Sipas nismës që prezantoi në fillim të javës kryeministri, brenda muajit maj qeveria do të diskutojë dhe miratojë ligjin për amnistinë fiskale, i cili do të falë edhe veprën penale të evazionit fiskal apo realizimit të të ardhurave.
Amnistia pritet të zgjatë 1 vit dhe do të realizohet me 3 fasha, tatimi mbi shumën që do të paguhet mendohet se në fazën e parë të jetë 5%, duke u përshkallëzuar në 7% te fasha e dytë dhe 10% te e treta.
Tv Klan