Vijon “saga”…edhe në aspekt ligjor tashmë mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi. Përmes një postimi në “X”, Rama shkruan se për gjithçka ka shpifur, Bardhi duhet të çonte prova në gjykatë! E duke qenë se sipas tij nuk i zotëron këto të fundit, “shtyn seancat me llafe boshe.”

Një mesazh nga koordinatori juridik i shumë gjyqeve me kënetën. Lexojeni pak: Sot kishim gjyqin për shpifje me Gaz Bardhin. Avokatët e tij kanë këmbëngulur që të mos merren parasysh vendimet e Penales, sepse medemek ato që ka thënë Bardhi janë fakte të njohura publikisht dhe ai thjesht i ka përsëritur. Plus, në parashtrime thoshin Ols Rama ashtu e Ols Rama kështu. Avokati ynë ua ka bërë të qartë që padia është e Edi Ramës dhe bëhet fjalë për deklaratat e Bardhit për kryeministrin që ka fshirë emrin e vëllait nga dosja me prokurorë që pastaj i ka promovuar etj etj…Pra, gjyqi është me Edi Ramën dhe për shpifjet ndaj Edi Ramës, prandaj ata duhet të sjellin prova që të vërtetojnë thëniet e Bardhit. Po natyrisht, ata prova s’kanë dhe s’përdridhen duke shtyrë seancat me llafe boshe. Ju informoj për seancën tjetër. Eh Babale, Babale, s’përdridhu s’përdridhu…”, shkruan numri një i qeverisë.


Kujtojmë se demokrati akuzoi vitin e shkuar vëllain e kryeministrit, Olsi Rama, për përfshirje në çështjen e laboratorit të drogës në “Xibrakë”. Akuza, që u pasuan me shigjetime të njëpasnjëshme mes Edi Ramës dhe Gazment Bardhit. Por jo vetëm kaq! Çështja shkoi në SPAK dhe Olsi Rama e paditi Bardhin për “kallëzim të rremë”. Më 10 Janar të këtij viti, SPAK konfirmoi zyrtarisht se “nga hetimet e kryera rezulton se nuk ka asnjë provë apo fakt që e lidh Olsi Ramën me këtë aktivitet kriminal.”

Gjithsesi, Bardhi vijoi me pretendimet e tij duke theksuar se “nuk ka patur asnjë hetim nga ana e SPAK-ut për vëllain e kryeministrit dhe se çështja ka qenë në duart e të njëjtit prokuror që gënjeu edhe për ngjarjen e Elbasanit në vitin 2021.” Ai ka akuzuar SPAK-un për favorizim politik duke amnistuar vëllain e kryeministrit. Pas gjithë këtyre, Edi Rama e paralajmëroi atë për kallëzim të rremë.

/tvklan.al