41 mijë e 666 anëtarë të Partisë Demokratike votuan përmes parimit “një anëtar, një votë” ekipin e kandidatëve me të cilin kjo forë politike do të garojë në zgjedhjet e 11 Majit. Pjesë e primareve në 12 qarqet e vendit u bënë rreth 288 kandidatë, ku numrin më të madh me 82 të tillë e ka qarku i Tiranës.     

Kutitë u hapën në orën 8:00 të mëngjesit dhe u mbyllën në 18:00 të pasdites, ndërsa numërimi nisi pas orës 20:00 të mbrëmjes. Sali Berisha, ndonëse nuk e zbuloi votën e tij, tha se 1 Marsi është një ditë e rëndësishme jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për pluralizmin politik në Shqipëri.

“Ktheni pak kokën, mbyllni pak sytë dhe shihni se çfarë ndodh në partinë tjetër. Se në çfarë kthetrash, çfarë honesh vidhisen në këtë periudhë. Ndaj dhe, ky është një akt shprese për shqiptarët që liria nuk do të shuhet kurrë në këtë vend, por do dalë shumë më e fortë nga këto zgjedhje”, u shpreh Berisha.

Pjesë e Primareve u bë thuajse i gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike, me përjashtim të 5 deputetëve. Por pavarësisht votës së anëtarësisë, vendimin final se kush do jetë kandidat për deputet do ta vendosë Kryesia e kësaj force politike.

Në përzgjedhjen e ekipit nga ana e Kryesisë në mbledhjen e 12 Marsit do të merret parasysh edhe puna e secilit kandidat me diasporën, si dhe kontributi në betejën kundër qeverisë.

Nga procesi i Primareve u përjashtuan 19 zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, përfshirë edhe kryetarin e saj Sali Berisha, të cilët do të jenë kandidatë në pjesën e sigurtë të listës së deputetëve, përfshi edhe 7 aleatët e opozitës që do të garojnë në koalicion me Partinë Demokratike.


Në Qarkun e Tiranës garojnë 82 kandidatë

Në Qarkun e Durrësit garojnë 37 kandidatë

Në Qarkun e Lezhës garojnë 19 kandidatë

Në Qarkun Shkodrës garojnë 31 kandidatë

Në qarkun e Korçës garojnë 19 kandidatë

Në Qarkun e Vlorës garojnë 13 kandidatë

Në Qarkun e Fierit garojnë 22 kandidatë

Në Qarkun e Gjirokastrës garojnë 9 kandidatë

Në Qarkun e Beratit garojnë 10 kandidatë

Në Qarkun e Dibrës garojnë 13 kandidatë

Në Qarkun e Elbsasanit garojnë 22 kandidatë

Në Qarkun e Kukësit garojnë 10 kandidatë.


Tv Klan