Në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin, Shqipëria është përzgjedhur si “vendi i nderit” për vitin 2025.
Kryeministri Edi Rama, i cili mbajti fjalën e tij në hapjen e këtij panairi në Berlin, tha se Shqipëria është një destinacion turistik gjithmonë e më shumë në rritje.
Këtë sipas tij e tregojnë shifrat, por edhe vetë rritja e numrit të turistëve gjermanë gjatë sezonit të kaluar.
Kreu i qeverisë shqiptare foli me shifra, kur tha që për vitin 2024, nga aeroporti i Tiranës kanë hyrë 11 milionë udhëtarë, duke tejkaluar aeroportin e Beogradit, si më i madhi në rajon.
Së bashku me Katarin dhe Arabinë Saudite, Shqipëria renditet në treshen e vendeve me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik.
“Është kënaqësi të citoj këtu një prej organeve më të mëdha të shtypit në Gjermani, Bild, që jo shumë larg në të shkuarën na rezervonte artikuj jo fort të këndshëm, pra Bild tani shkruan që Shqipëria nuk është më një destinacion i panjohur, por pritet të bëhet një vend i nxehtë për ata që duan diellin.
Ndërkohë që shohim më në fund edhe turistët gjermanë që vijnë. Ne jemi shumë të lumtur të shohim shifrat e rritjes së ardhjes së turistëve gjermanë nga rreth 120 mijë disa vite më parë, në 374 mijë vitin e kaluar. Jemi mjaft ambiciozë për të marrë gjithmonë e më shumë turistë gjermanë.
Po ndalem duke dhënë një shifër shumë të thjeshtë. Kemi qenë Koreja e Veriut e Europës, ishim të rritur kur aeroporti ynë kishte vetëm pak mijëra udhëtarë në vit. Të gjithë këta pak mijëra udhëtarë duhet të ishin marksistë-leninistë që të hynin në vendin tonë dhe po flas deri në vitin 1990.
Ne ishim tërësisht të izoluar nga e gjithë Europa. Duke qenë se kishim kaluar diçka që askush në Europën komuniste nuk e kishte kaluar, ne në Shqipëri nuk mund të mbanim mjekër. Në aeroport kishte një berberhane, kështu që turistët që kishin mjekër nuk mund të hynin pa kaluar nga berberi njëherë.
Sot shifra jonë e fundit nga 2024 është 11 milionë udhëtarë që kanë kaluar përmes aeroportit të Tiranës duke kaluar shifrat e Beogradit që ka qenë aeroporti më i madh tipik në Ballkan. Për disa vjet tashmë mbetemi në treshen kryesore në kartën e Organizatës Botëtore të Turizmit, së bashku me Katarin dhe Arabinë Saudite si destinacionet me rritjen më të shpejtë.
Unë besoj që ne jemi siç ka qenë një herë Gjermania në Kupën e Botës, të parët”, tha Kryeministri Edi Rama.
/tvklan.al