Kryeministri britanik Keir Starmer shpalosi nismën për një koalicion vendesh që ai i quajti vullnetare për të garantuar paqen në Ukrainë.

Në një konferencë për shtyp pas samitit të liderëve dhe përfaqësuesve të shumë shteteve të kontinentit dhe aleancës veri-atlantike, Starmer shpalosi një plan me 4 pika në mbështetje të Kievit, ku duhet të kontribuojnë të gjitha vendet që do të jenë pjesë e kësaj nisme.

Plani parashikon vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën deri sa lufta të përfundojë, si dhe të shtohet presioni ekonomik ndaj Rusisë. Kërkohet që çdo marrëveshje paqeje të përfshijë në bisedime edhe Ukrainën dhe të garantojë sovranitetin dhe sigurinë e saj.

Vendet europiane të marrin përgjegjësitë për të shmangur çdo ndërhyrje në të ardhmen të Rusisë në Ukrainë dhe kjo të arrihet përmes të ashtuquajturit koalicion të vullnetarëve.

“Britania e Madhe është gati ta bëjë këtë me çizme në tokë dhe avionë në ajër. Bashkë me të tjerët, Evropa duhet të bëjë ngritje të madhe në favor të paqes në kontinentin tonë dhe për të pasur sukses në këtë përpjekje duhet një mbështetje e fortë nga SHBA. Sot jemi në një udhëkryq të historisë. Nuk është momenti për më tepër bisedime, por është koha të veprojmë të bashkuar për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shprehet Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer.

Plani i hartuar në bashkërendim me presidentin francez Emmanuel Macron do t’i shtrohet për diskutim edhe Shefit të Shtëpisë së Bardhë Donald Trump.

Më herët presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, pjesëmarrëse në samit, kërkoi shtim të shpenzimeve ushtarake.

“Është me rëndësi të madhe të rritim shpenzimet. Duhet të përgatitemi për më të keqen”, shprehet presidentja e KE, Ursula Von Der Leyen.

Pjesëmarrës në samit ishin edhe liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë, kryediplomati turk, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, si dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy.

Samiti i zhvillua pas debatit të ashpër që presidenti ukrainas zhvilloi të premten në Shtëpinë e Bardhë me Donald Trumpin, i cili i kërkoi të bëjë lëshime të mëdha për të arritur paqen, por presidenti ukrainas refuzoi.

Britania e Madhe t’i japë një kredi prej 2.84 miliardë Dollarësh. Sipas marrëveshjes, Ukraina do ta shlyejë këtë kredi me asetet sovrane të Rusisë që janë sekuestruar në territorin britanik. Në samit u ra dakord edhe për një ndihmë tjetër prej 2 miliardë Dollarësh për blerjen e armatimeve për mbrojtjen ajrore.

Tv Klan