Sali Berisha u kthye sërish në Itali, kësaj here për të takuar shqiptarët e Milanos. Bashkëatdhetarëve që kishin mbushur stadiumin “PALABORSANI” u kërkoi, jo vetëm të marrin pjesë në zgjedhje, por edhe të votojnë për t’i dhënë fund atij që ai e konsideron si regjimo i narkoshtetit të Edi Ramës.
“Viti 2025, është viti i diasporës shqiptare, sepse këtë vit ju i bëni Shqipërisë, i bëni kombit, i bëni familjeve tuaja ndër dhuratat më të bukura, më të çmuara që keni bërë në jetën tuaj. Këtë vit, ju me votën tuaj, me vullnetin tuaj të palëkundur firmosni fitoren e PD dhe opozitës shqiptare, firmosni rotacionin, firmosni fundin e narko diktaturës”, tha Berisha.
Optimizmin e fitores ia shton më shumë edhe era e ndryshimit që sipas tij po vjen përtej oqeanit. Dhe këtu i referohet disa zhvillimeve të rëndësishme.
“Sikur Sali Berisha të deklaronte nga dritarja e katit të tetë tri muaj më parë se, në Shqipëri do zbarkojë për të drejtuar fushatën e PD-së kryestrategu i planetit, kryestrategu i rikthimit më të jashtëzakonshëm në histori, rikthimit të Donald Trump, a nuk do thoshit, askush nuk do ta besonte. Po, sikur të kisha thënë se, Antony Blinken, njeriu që nën diktatin e Xhorxh Sorosit mori përsipër të shkatërrojë opozitën ëpr hir të Edi Ramës do të shpallet non grata në vendin e tij, kush do ta besonte? Sot, siç e dini, nuk i lejohet të futet në asnjë ndërtesë federale të SHBA-ve”, thekson kreu i demokratëve.
Duke u ndalur tek programi qeverisës, Berisha tha se synimi i tij do të jetë ta bëjë Shqipërinë të jetueshme.
“Shqipëria madhështore, Shqipëria e jetueshme, Shqipëria e shpresës realizohet në 3 muaj. Një paketë emergjence, e cila nxjerr çdo shqiptar në territorin e Shqipërisë jashtë varfërisë ekstreme”, shprehet Berisha.
Një tjetër objektiv është që ta bëjë Shqipërinë një vend miqësor për investimet.
“Për çdo shqiptar që kthehet në Shqipëri, 5 vjet pa asnjë taksë, dhe përsëri stimuj të tjerë. Pra, do bëhet gjithçka në moton: ekonomia, ekonomia, ekonomia! Shqipëri prodhuese, Shqipëri prodhuese. Markat shqiptare do mbushin dyqanet, markat shqiptare do vërshojnë”, deklaron Berisha.
Zotohet gjithashtu se me ardhjen e demokratëve në pushtet projekti i Ballkanit të Hapur do të marrë fund.
“Ballkani i Hapur, Stop! Në kosh do të hidhet. Argati i Vuçiçit do përgjigjet për krimin e tmerrshëm ekonomik që ka kryer ndaj shqiptarëve”, tha Berisha.
Një shtyllë tjetër e programit përmendi edhe pastrimin e shtëpisë përmes një auditi të plotë të qeverisjes 12-vjeçare të Edi Ramës.
“Së pari, zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Së dyti, audit i përgjithshëm. Ku shkuan 57 miliardë euro të këtyre viteve, ku i depozituan, në çfarë i shndërruan? Do t’i merren, do iu kthehen qytetarëve”, thotë lideri demokrat.
Berisha premtoi gjithashtu miratimin e një ligji special që do të synojë mbylljen e fondacionit Xhorxh Soros në Shqipëri dhe shpalljen e tij non grata.
Tv Klan