Gjyqtari i Posaçëm i Apelit, Engert Pëllumbi rrëzoi ankimin e bërë nga vëllai i kryebashkiakut Erion Veliaj, Arbër Veliaj dhe shoqërisë që ai drejton “Gogel” kundër kontrollit të bërë në 6 Dhjetor 2024.

Ai pretendon se vendimi që lejoi kontrollin e tij personal dhe të ambienteve e bizneseve të lidhura me të është i paligjshëm.

Javën që shkoi në Apelin e Posaçëm u regjistruan edhe dy kërkesa të tjera që kundërshtojnë vendimmarrjen e Shkallës së Parë për dosjen ku po hetohet kryebashkiaku Veliaj, gruaja e tij dhe 5 biznesmenë, për korrupsion dhe pastrim parash.

Ajola Xoxa kërkon heqjen e sekuestrove nga llogaritë bankare në emrin e saj dhe shoqërive të lidhura me të, llogari që kapin vlerën e 869 mijë Eurove.

Gjithashtu ankim në Apel është dorëzuar edhe për vendimin që vuri në sekuestro vilën në Qerret, për të cilën SPAK thotë se posedohej në mënyrë të fshehur nga çifti Veliaj-Xoxa dhe që këta të fundit e mohojnë.

Ndërkohë Gjykata e Posaçme e Apelit pritet të regjistrojë edhe ankimet e bëra kundër masave të sigurisë, dorëzuar prej disa ditësh nga Veliaj.

Ky i fundit qëndron në paraburgimin e Durrësit që prej 12 Shkurtit dhe ka mohuar akuzat ndaj tij, duke pretenduar se hetimi është dashakeqës dhe për motive personale të prokurorit Ols Dado.

Tv Klan