Rreth 2 muaj pasi u shpall në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, arrestohet në Tiranë Xhelal Rraja.

Për të kishte një udhër-arresti, që u lëshua gjatë operacionit “Revanshi”. Xhelal Rraja akuzohet për grup të strukturuar kriminal dhe sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje. Bëhet fjalë për planifikimin e eliminimit të ish-deputetit Arben Ndoka.

Akuzat ndaj tij u ngritën pas bisedave në aplikacionin “Sky ecc” dhe “Encrochat”, ku ai bashkë me persona të tjerë planifikonin vrasjen e Arben Ndokës. Sipas hetimeve të SPAK, Rraja ishte pjesë e grupit të Durim Bamit, dhe Endrit Dokles, kundërshtar i Arben Ndokës dhe Ervis Martinajt. Ish-deputeti socialist do të vritej në rrugën e Elbasanit teksa do të shkonte të pinte një kafe ngushëllimi, për vdekjen e një gjyqtari nga Lezha.

Plani për vrasjen e Ndokës, u hartua nga Bami dhe Dokle në bashkëpunim me Rrajën dhe Marklen Hakën. Xhelal Rraja është vëllai i ish-deputetit Rrahman Rraja dhe babai i Ramazan Rraja, i arrestuar si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja. Xhelal Rraja është hetuar edhe për dhunën ndaj kushërinjve Maja, ngjarje e ndodhur 1 vit më parë në Fushë-Krujë.

Për operacionin “Revanshi” pak ditë më parë, ra në pranga edhe Astrit Avdyli. Ky i fundit bashkëpunonte me Arben Ndokën, Emiljano Shullazin dhe Ervis Martinajn për të vrarë Durim dhe Valter Bamin.

Klan News