Në një takim me gazetarët, avokatët e kryebashkiakut Erion Veliaj, e konsideruan masën e sigurisë “Arrest në burg” caktuar ndaj tij si ekstreme dhe të pajustifikuar.

“Ne vlerësojmë se kjo masë e sigurisë është e tejkaluar dhe abuzive ndaj një personi të zgjedhur 3 herë si kryebashkiak dhe nuk plotësohet asnjë kusht për masën e sigurisë. Një masë në prag të zgjedhjeve mund të çojë në hamendësimin që kjo lidhet me zgjedhjet.”

Ata pranuan dërgimin e mesazhit nga ana e Veliajt drejt hetuesit të BKH-së, por mohuan që ai të ishte intimidues. Prokurorin Ols Dado e konsiderojnë në konflikt interesi në këtë hetim, për shkak të një leje ndërtimi dhënë nga Bashkia. Avokati Ermir Beta, tha se i kanë dorëzuar kërkesë për përjashtimin e tij nga çështja kreut të SPAK, Altin Dumani.


“Shkaku i përjashtimit të zotit Dado ishte për një leje ndërtimi. Mbrojtja ka formalizuar kërkesën për përjashtimin e tij dhe kemi shtruar edhe shkakun tjetër që në vlerësimin tonë kishte doza anësie. Akoma mbetemi në pritje të kësaj përgjigje.”

Mënyrën se si SPAK regjistroi dhe zhvilloi më pas hetimet e konsideruan si precendent të rrezikshëm.

“Vlerësojmë si jo ligjor nisjen e procesit nga një anonimat. Procesi ka filluar nëpërmjet një vetting disa vjeçar të nisur për klientin tonë. E vlerësojmë si praktikë abuzive, duke shtuar që ka nisur nga një anonimat…”

SPAK ka vënë në hetim Erion Veliajn dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa për dyshimet se janë përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash, duke bazuar hetimet në disa komunikime të gjetura në telefonët e sekuestruar, dëshmive të njerëzve që kanë punuar me Xoxën dhe ndjekjes së transaksioneve bankare.

Tv Klan