Ish-deputeti dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako mohoi këtë të Premte se është përfshirë në korrupsion gjatë procedurave të koncensionit të inceneratorit të Tiranës.
Duke bërë mbrojtjen para gjykatës, ai shtoi se SPAK nuk kishte provuar asnjë shkelje ligjore nga ana e tij.
“Organi procedues nuk ka arritur të provojë asnjë shkelje ligjore nga ana ime në lidhje me detyrën time funksionale. Sekretari i Përgjithshëm nuk ka pas asnjë rol në këtë procedurë, madje nuk kam marrë pjesë as si vëzhgues në mbledhjen e komisionit për dhënien e koncesionit. Së dyti vetëm antarëve të KVO u është kërkuar të plotësojnë deklarata e konfliktit të interesit, ndërkohë që unë si Sekretar i Përgjithshëm nuk kam pasur asnjë detyrë.”
Pretendimin se ka ndërhyrë te Klodian Zoto që të merrte në punë një këshilltar të Ministrisë së Mjedisit, që rezulton të ketë ndihmuar në shkresat për koncensionin, e quajti të pambështetur në fakte.
SPAK kërkoi 5 vite burg për Bllakon duke e akuzuar atë për korrupsion në 2 raste, konkretisht se ka përfituar një pajisje për biznesnin e të atit të tij dhe për pagat ndaj këshilltarit të Ministrit.
Gjykata e Posaçme do ta japë vendimin për ish-deputetin Bllako më 11 Mars.
Tv Klan