Seanca për njohjen me masën e sigurisë ndaj Erion Veliaj, Ajola Xoxës dhe 5 biznesmenëve është ndërprerë. Avokatët mbrojtës kanë kërkuar kohë për mbrojtje.

Gjykata e ndodhur në këto kushte ka ndërprerë seancën për ta rinisur në orën 13.30.

Veliaj u shoqërua nga Blloku i Sigurisë drejt GJKKO me furgon policie, ndërkohë që Xoxa që ndodhej në arrest shtëpie u shoqërua nga dy policë. Nga ana tjeter mbështetës të kryebashkiakut u mblodhën te Gjykata për përkrahjen ndaj Erion Veliajt.

Për verifikim mase u paraqitën edhe 4 biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Shkëlqim Fusha, për të cilët është caktuar masa detyrim paraqitjeje. Si edhe biznesmeni i arrestuar Elman Abule. Ndërkohë, masa nuk është ekzekutuar për biznesmenin Sokol Kryeziu, pasi ndodhet jashtë shtetit.

Seanca e parashikuar për në orën 08:30 nisi me 30 minuta vonesë për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Ndaj biznesmenit Abule rëndon akuza e pastrimit të parave, ndërsa për 5 të tjerët vetëm ajo e korrupsionit aktiv. Prokurorë të dosjes janë Ols Dado dhe Altin Dumani, ndërsa gjyqtar Erion Bani.

Klan News