Krishtlindjet dhe Viti i Ri këtë vit duken më të zymta në krahasim me vitet e tjera të mëparshme. Izolimi kombëtar që po aplikojnë shumë vende po vendosin në pikëpyetje nëse fëmijët do të marrin dhurata nga “babagjyshi”.
Megjithatë ekziston pyetja: A do të jetë Santa në gjendje të shpërndajë të gjitha dhuratat më 25 Dhjetor ?
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se fëmijët duhet të qëndrojnë të qetë pasi Santa Claus nuk do të ketë probleme për të shpërndarë dhuratat e fundvitit.
Sipas OBSH-së, “babagjyshi”, i cili i përket një prej grupeve të rrezikut, do të jetë në gjendje të punojë pa probleme pasi testet që janë kryer kanë përcaktuar se ai ka antitrupat e nevojshëm për të shmangur infektimin nga koronavirusi. Prandaj, të gjithë djemtë dhe vajzat do të kenë dhuratat e tyre pa asnjë problem.
Nga OBSH ata kanë dashur të kontaktojnë me të, pavarësisht nga fakti se ai është shumë i zënë me të gjitha përgatitjet në shtëpinë e tij në Lapland.
Sidoqoftë, Santa Claus ka arritur të gjejë një hapësirë për t’u sqaruar ekspertëve se ai është në gjendje të plotë për të përmbushur misionin e tij.
Përveç kësaj, disa udhëheqës botërorë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të hapur aeroportet ku “babagjyshi” të parkojë slitën e tij plot me dhurata.
Nga ana tjetër, OBSH u ka kërkuar fëmijëve që të flenë herët dhe të mos dalin jashtë në datën 24 për të shmangur Covid-19 pasi ata nuk janë imunë si Santa Claus.
Klan Plus