Bashkimi Europian do të organizojë një konferencë donatorësh për të mbledhur fonde për Shqipërinë në përballimin e dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit.
Në mbledhjen e së enjtes, Këshilli i Europës ka pranuar propozimin e Komisionit Europian për të ndihmuar vendin tonë.
“Bashkimi Evropian solidarizohet me Shqipërinë pas tërmetit të fundit. Këshilli Evropian mirëpret njoftimin e Komisionit për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të organizuar një konferencë donatorësh”, thuhet në pikën e fundit të mbledhjes së Këshillit të Europës që u miratua një ditë më parë.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, e cila bëri me dije se konferenca e donatërove për të ndihmuar Shqipërinë do të organizohet në Tiranë në Janar 2020.
Ideja për një konferencë donatorësh për të ndihmuar vendin tonë u parashtrua fillimisht nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe që më pas u propozua zyrtarisht edhe nga Komisioni Europian.
Disa ditë më parë, KE dhuroi 15 milionë Euro si ndihmesa e parë për përballimin e dëmeve.
Nga tërmeti i 26 Nëntorit që goditi rajonet e Tiranës dhe Durrësit humbën jetën 51 persona dhe u plagosën mbi 900 të tjerë, ndërkohë që shumë ndërtesa u shkatërruan. /tvklan.al