Në shkollën e Integrimit Evropian ambasadori Silvio Gonzato kërkoi mbështetje të gjerë ndërpartiake për reformat e integrimit. Për Gonzaton thelbësore për Shqipërinë tashmë është rritja e ritmit të reformave.
Silvio Gonzato, ambasadori i BE-së: Javën e kaluar Komisioni Evropian miratoi edhe axhendën e reformave për Planin e Rritjes për Shqipërinë. Do të jetë thelbësore që Shqipëria të rrisë ritmin e reformave. Nisja e negociatave për grup kapitullin e parë nënkupton gjithmonë e më tepër monitorim rigoroz nga BE dhe shtet anëtare. Paketa e zgjerimit të 2024 të miratuar nga Komisioni Evropian ofron udhëzues të qartë për atë se çfarë duhet bërë në të gjithë sektorët. Kjo kërkon udhëheqje të fortë, mbështetje te gjerë ndërpartiake.
Mbështetje për reformat e integrimit kanë dhënë edhe kryeparlamentarja Spiropali si dhe deputetet Tabaku e Gogu.
Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit: Me progresin hapa drejt aderimit drejtuesit edhe administratat e tyre duhet të sigurojnë që qytetarët e tyre t’ju ofrohen të njëjtat shërbime ashtu si edhe qytetarëve të BE dhe që demokracia lokale të zbatohet në mënyrë efiçente dhe gjithëpërfshirëse.
Jorida Tabaku, Kryetare e Këshillit të Integrimit: Kërkesa ime e vazhdueshme për qeverinë ka qenë që grupet e negociatave duhet të zgjerohen, duhet që patjetër të përfshijnë të rinjtë dhe kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e tre viteve të fundit.
Toni Gogu, deputet i PS: Ju lutëm ushtrojeni atë vlerën e dialogut, atë vlerën e të bërit kompromis se pa të nuk mund të ecim përpara.
Klan News