Kreu i qeverisë u tha ndjekësve të tij në rrjetet sociale se SPAK-u ekziston falë vullnetit të fuqisë së Partisë Socialiste.
“SPAK-u është institucion i krijuar nga vullneti politik i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe tani sot e kemi më të thjeshtë”, tha Edi Rama.
Rama tha se nga SPAK janë larguar amerikanët.
“Amerika i kishte njerëzit e vetë që asistonin SPAK-un. Shkonin, hynin dhe dilnin në mëngjes e pasdite, tek stacioni trenit atje, nuk janë më. I ka tërhequr Amerika”, tha Rama.
Sipas tij, Berisha po përdor SPAK si mjet të vetin të luftës politike.
“Ju e dini që këneta është e përbetuar nëpërmjet gojës së bufit vetë që do ta shkrijë SPAK-un apo jo? Këneta e thotë: Na jepni votën të shkrijmë SPAK-un. Bufi thotë do ta shkrijmë SPAK-un. Po nëse do të ishim dhe ne, nëse do të isha dhe unë, i interesuar për këtë. I trembur, i shqetësuar, siç përpiqen të më pikturojnë disa që janë pjesë e problemit dhe nuk kanë lidhje me zgjidhjen atëherë kjo do ishte më e thjeshta fare. Një fishkëllimë bufi dhe si vinte bufi apo jo? A e di si vinte, ai buf bufi? Me një fishkëllimë, se e sillte tmerri që ka nga drejtësia, e sillte tmerri që ka nga SPAK-u, e sillte tmerri që ka me të kaluarën që nuk e blen dot, me të kaluarën që nuk e ndryshon dot, me të kaluarën që është aty, që e persekuton çdo ditë, çdo natë, menjëherë dhe nuk kishte më SPAK”, tha kryeministri Rama.
Patronazhistët, sipas Ramës, janë më të mobilizuar si asnjëherë tjetër për një fitore madhështore me 11 Maj.
“Patronazhistët janë më të mobilizuar si asnjëherë tjetër edhe janë shumë të vendosur që me 11 Maj ti japin emrit të tyre një kuptim drithërues për të gjithë kundërshtarët”, tha Rama.
Rama ironizoi opozitën, teksa u shpreh se me “me bufin e kënetës, Shqipëria ishte e dyta pas Gjermanisë”.
Rama tha se do vijë koha kur të gjitha rrugët do të bëhen me pagesë ashtu siç e ka gjithë bota, por Rruga e Arbrit do jetë falas.
Rama e mbylli komunikimin me ndjekësit në rrjetet sociale me mesazhin se ai ishte në pushtet për një mision dhe një detyrë, e jo për karrige.
Klan News