Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediat tha se koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore është një premtim real për shqiptarët mbi të gjitha madhështor.

“Premtimi më i madh për shqiptarët pas përmbysjes së diktaturës komuniste më real dhe më madhështorë që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Unë e kuptoj se njerëz të lodhur, pse jo dhe të rraskapitur nga skamja, të dëshpëruar nga brutaliteti i narko-diktaturës mendojnë se Shqipëria madhështore është e largët. Por unë jam sot këtu për të garantuar ata se Shqipëria Madhështore do të jetë më afër se kurrë dhe do të jetë një realitet i mrekullueshëm për shqiptarët kudo ndodhen. ”, tha Berisha.

Në deklaratën e tij Berisha radhiti edhe një herë 12 pikat e programit të Partisë Demokratike që nga lufta e varfërisë dhe skamjes ekstreme te rritja e pagave mesatare, rritja e pensioneve, ulja e çmimit të naftës

“Shqipëria Madhështore ka si kusht të të gjitha kushteve që asnjë shqiptar të mos njoh më varfërinë ekstreme. Në këtë aspektë paketa jonë për vendosjen e minimumit jetik 200 Euro dhe indeksimin e tij të përvitshëm me shkalljen e rritjes së çmimeve, vendosja e rrogës minimale 500 Euro, rroga mesatare 1200 Euro, rritje e pensioneve me vendosja e kartës së konsumatorit për të gjithë ata që marrin pensione, minimum jetik dhe rroga të ulëta për të rimbursuar shumën përafërsisht 450 euro në vit për ushqimet dhe gjërat bazë që blejnë. Çmimi i energjisë prej 7 lekë. Çmimi i energjisë për bizneset nga 18-24 që është sot, në 6 lekë.  Pjesëtimi me 5 i çmimit për pronën etj do i japin një çlirim të menjëhershëm shqiptarëve nga dhimbjet e skamjes ekstreme. Pra, në qoftë se do të flasim në terma apolitike, kjo është kolona e dhembshurisë njerëzore. Shqipëria Madhështore bazohet në kolonën e dhembshurisë njerëzore”, tha Berisha.

Por Berisha theksoi se Shqipëria nuk do të mund të jetë madhështore pa prodhimin produkteve shqiptare “Made in Albania” që do të mbush tregjet jo vetëm vendase për ato ndërkombëtare.

“Për çka do të ketë në përmbysje të plotë të shpërndarjes së të ardhurave. Shqipëria nuk do ishte kurrë madhështore nëse nuk do ishte Shqipëria e prodhimit të të mirave, Shqipëria e prodhimeve që do mbushin tregjet e vendit dhe tregjet ndërkombëtare. ‘Made in Albania’ do jetë motoja e krenarisë së shqiptarëve. ‘Made in Albania’, etiketa e prodhimit në Shqipëri do përbëjë moton e krenarisë së betejës së shqiptarëve. Nga jugu në veri, lindja në perëndim, nuk gjen kurrë 28 mijë kilometra katrorë me potenciale kaq të jashtëzakonshme si në këtë tokë. Ndaj dhe, duke vendosur në epiqendër të programit tonë ekonominë, ekonominë, ekonominë, ne rikthehemi me fuqinë më të madhe për të vendosur në piedestal Shqipërinë që prodhon. Por një gjë që dua të them, ata të cilët dëgjojnë me skepticizëm këto fjalë, që dëgjojnë me skepticizëm shtyllën e dhembshurisë apo Shqipërisë së jetueshme, atyre u kujtoj se ka qenë kjo forcë politike që ka dyfishuar rrogat dhe pensionet si asnjë forcë tjetër politike në atë kohë në Europë dhe në historinë e këtij vendi në 8 vite. Ata që thonë se ‘Made in Albania’, se prodhimi do jetë baza e krenarisë shqiptare, dhe e konsiderojnë këtë një ekzagjerim, nuk duhet të harrojnë se jemi ne, vështroni shifrat, rritëm me 320 përqind eksportet, të cilat nga viti i kaluar në këtë vit ranë me 32 përqind. Pra, nxitja e prodhimit dhe eksportit dhe klima më miqësore ndaj biznesit, Shqipëria e taksave të ulëta, potencialet e jashtëzakonshme natyrore, janë të gjitha këto faktorë që shndërrojnë ‘Made in Albania’ në moto kryesore jo vetëm të krenarisë, por edhe të begatimit të shqiptarëve”, tha Berisha.

/tvklan.al