Krye i PD-së Sali Berisha në një deklaratë për mediat tha se me 25 partitë që Partia Demokratike është në koalicion është një bashkim për kauzën kryesore që është rrëzimi i pushtetit të Edi Ramës.
Berisha tha se 26 e partitë e koalicionit Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore përfaqësojnë një të tretën e elektoratit shqiptar.
“Së pari ne kemi deklaruar qëndrimin tonë dhe kemi ftuar të bashkëohen me ne të gjitha ato forcat politike që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe për Shqipërinë dhe e kemi quajtur këtë një bashkim për kauzën kryesore dhe kjo ka ndodhur dhe kemi ftuar shqiptarët dhe partitë e tjera të cilat nuk kanë ardhur për arsye që do t’ua shpjegojnë zgjedhësve. Ne ua kemi bërë të qartë atyre largimi i të keqes më të madhe të Edi Ramës do të jetë misioni i çdo force politike që e konsideron veten opozitar. Por, të konsiderosh veten opozitar, duhet të ndjehesh i tillë dhe duhet të kesh lirinë për ta ndjerë.
Një koalicion shumë i mirë u bë, natyrisht në këtë koalicion vërtet PD ka dhënë 8 vende në listat e garantuara, por demokratët dhe mbështetësit tanë duhet ta dinë se këto 26 parti në tërësinë e tyre përfaqësojnë herë-herë edhe një të tretën e elektoratit shqiptar. Pavarësisht se të marra veçmas janë parti modeste në votat e tyre, por të marra së bashku kanë një elektorat qindra mijëra votash. Dhe unë u them se kjo është një fitore e vërtetë e aleancës për Shqipërinë Madhështore. Ndaj edhe e përshëndes sot dhe garantoj se është në përputhje me statutin e parties”, tha Sali Berisha.
Berisha tha se në listat e mbyllura dhe të hapura prioritetet do të kenë kuotat e vajzave, grave dhe të rinjve.
“Sikundër, përcaktimet statusore për kuotat e vajzave dhe grave në listat e mbyllura dhe të hapura dhe për kuotat e të rinjve në të dy palët e listave, janë eprore ndaj gjithçkaje tjetër për listat e PD-së. Askush të mos mendojë se ne nuk i qëndrojmë ligjeve të Kushtetutës sonë, statutit tonë. Pra, shikoni çfarë procesi. Imagjinoni padrinon në bodrumin e tij, që nuk dini asnjëri prej jush se kush kandidon në këtë qark apo atë qark sepse listat po bëhen nga organizatat e tjera kriminale. Ka një panik, ka një tmerr në radhët e partisë së krimit”, tha Berisha.
/tvklan.al