Partia Demokratike ka mbyllur negociatat me aleatët e saj, duke zyrtarizuar edhe emrin e koalicionit që do jetë “Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Partia Demokratike e Sali Berishës dorëzoi në mesnatë koalicionin e saj bashkë me Partinë e Lirisë së Ilir Metës dhe 24 forca politike të tjera.
Sipas marrëveshjes së dakordësuar deri afër mesnatës, aleatëve u janë lënë 8 vende të sigurta në listën e mbyllur për kandidatë në zgjedhjet e 11 Majit.
Partia e Lirisë së Ilir Metës do të marrë 4 deputetë në lista të sigurta, ndërsa nga 1 vend në listën e mbyllur u është dhënë edhe Fatmir Mediut, Shpëtim Idrizit, Vangjel Dules dhe partisë së Agron Dukës.
Mësohet se Partia e Lirisë do të ketë 2 vende të sigurta në qarkun e Tiranës, njëri prej të cilëve do t’i takojë Ilir Metës ndërsa të tjerët mund të jenë në Fier dhe Elbasan. Ndërsa aleatët e tjerë të opozitës do të jenë në listat e hapura në 12 qarqet e vendit.
Përveç koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike, në KQZ u dorëzuan të hënën që ishte edhe afati i fundit edhe dy koalicione të tjera, njëri është bashkimi i LZHK-së së Dashamir Shehit dhe “Djathtas 1912” të Enkelejd Alibeajt si dhe koalicioni i “Nisma Thurje” me “Shqipëria Bëhet”.
Ndërsa Partia Socialiste do të garojë edhe këto zgjedhje e vetme.
Klan News