Sali Berisha ditën e 7 Marsit e mbylli me mësues të Kamzës të cilëve u premtoi pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet trajtim dinjitoz në paga dhe dyfishim të buxhetit për arsimin.

“Nëse rroga mesatare do jetë 1200 Euro e mësuesit do jetë mbi mesataren, e pedagogut qartësisht mbi mesataren, do i rikthehemi trajtimit të merituar të mësuesit. Do dyfishojmë buxhetin për arsimin”, tha Berisha.

Kryedemokrati foli për një rënie të madhe të arsimit gjatë tre mandateve qeverisje të Edi Ramës, teksa tha se ky sektor do te jetë një nga kolonat kryesore të “Shqipërisë Madhështore”.

“Në këtë diktaturë të dytë arsimi viktima e tij, mësuesit u zëvendësuan me patronazhistë, rrogat e tyre sot s’kanë të kompensuar as gjysmën e inflacionit një shkollë drejtorësh si shkollë parti, një portal si mësues për partinë, këto sollën rrokullimën për një komb në rrugën drejt përparimit dhe progresit”, tha Berisha.

Pjesë e programit të Partisë demokratike për arsimin është edhe heqja e mesatares për  pranimin në universitete dhe trajtim prej 200 eurosh në muaj për studentët.

Tv Klan