Ish-kryeministri: Akuzat ndaj meje fletërrufe dhe hakmarrje e Edi Ramës
Ish-kryeministri Sali Berisha u është përgjigjur akuzave të SPAK për korrupsion të cilat u publikuan të Shtunën. Në konferencën për mediat, Berisha i ka cilësuar fletërrufe me porosi të kryeministrit Edi Rama. Berisha thotë se janë shpifje akuzat se gjatë kohës që ka mbajtur postin e kryeministrit ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarber Malltezi për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
“Nuk kanë gjetur qoftë edhe një të vetëm që të vërtetojë që toka e kthyer nuk ka qenë trashëgimi e tyre në breza. Klubi “Partizani” nuk ishte hequr nga Sali Berisha me asnjë vendim apo propozim të tij. Nga plani i përhapjes së forcave të armatosura dhe as në momentin që po privatizohej. Aludohej ndaj meje në mënyrë groteske se unë reformën e pronësisë e paskam ndërmarë për të favorizuar dhëndrin tim pronar, i cili e vërteta është se nga pronat e tij nuk ka marrë as 10% të asaj që i takon.”
Berisha thotë se procedurat për privatizimin e ish-kompleksit Partizani nisi që në kohën e qeverisë “Nano”.
“Procesi i privatizimit të klubit “Partizani” sipas dokumentave zyrtare nuk është nisur nga Sali Berisha, por është nisur nga Fatos Nano mirëpo Edi Rama dhe larta e tij skapist i fshehin këto dokumenta dhe këtë fakt.”
Sipas Berishës ndërtimet në vendin ku ndodhej ish-kompleksi Partizani janë kryer me firmën e Edi Ramas, që në atë kohë mbante postin e kryebashkiakut, pasi ndryshoi destinacionin nga terren sportiv në pronë ku mund të kryen ndërtime.
“Destinacioni i klubit “Partizani” nga terren sportive në zonë urbane nuk e ka ndryshuar Sali Berisha, por e ka ndryshuar Edi Rama.”
Berisha tha se në atë pronë janë dhënë leje ndërtimi nga Edi Rama, Lulzim Basha dhe kryebashkiaku aktual i Tiranës, Erion Veliaj.
“Dy leje ndërtimi ka dhënë Edi Rama, 4 leje ndërtimi i ka dhënë Erion Veliaj, të tjerat i ka dhënë Lulzim Basha.
Teksa thotë se nuk i trembet drejtësisë, Berisha thekson se autoritetet duhet të zbatojnë Kushtetutën.
“Përsa kohë kushtetuta nuk lejon kufizimin e lirisë së deputetit, unë jam njeri i ligjit. Do të zbatoj ligjin.”
Ish-kryeministri shprehet se akuzat e ngritura ndaj tij, janë hakmarrje e kryeministrit Rama, pas denoncimeve të bëra për inceneratorët dhe tenderëve të marrë nga familjarët e tij.
Klan News