Thellohet misteri në lidhje me kompaninë “Allum Enterprises”, e cila prej 5 muajsh ka nisur procedurat për blerjen e kompanisë ARMO, që aktualisht zotërohet nga një bankë private. Megjithëse është një kompani e themeluar në Londër, Dhoma Britanike e Tregtisë në Tiranë nuk ka asnjë informacion në lidhje më të. Ajo nuk është e regjistruar pranë kësaj Dhome dhe nuk ka pasur asnjë kontakt me të. Këtë fakt e pohon vetë presidenti Zenel Hoxha.

Pak ditë më parë, “Klan Plus” kërkoi të kontaktonte me përfaqësues të kësaj kompanie në vendin tonë, por në adresën e deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndodhej një tjetër subjekt.

“Allum Enterprises” rezulton që ka hyrë në një marrëveshje siguruese me Bankën Credins për shumën 2.3 miliardë lekë, pasi ARMO kishte marrë pranë kësaj banke një hua me këtë vlerë dhe nuk e ka shlyer.

Kompania “Allum Enterprises”, e krijuar në Gusht të vitit të kaluar në Londër drejtohet nga Ajit Prasad dhe Suman Mitra, njëri mjek dhe tjetri me profesion hotelier. Të dy janë me nënshtetësi britanike, por me origjinë nga India. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit jepet vetëm emri i administratorit shqiptar, Jeton Bajrami, ndërsa aksionerët nuk bëhen të ditur.

Klan Plus