Fitorja 2 – 0 e Skënderbeut e arritur ndaj Dinamos në çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë nuk i jep qetësi asnjërës prej skuadrave.
Ndeshja e kthimit do të luhet të mërkurën në Korçë dhe sipas trajneri Ernest Gjoka nuk është zgjidhur akoma çështja e kualifikimit.
“Edhe pse rezultati është në favorin tonë 0 – 2, kemi përballë një skuadër që di të interpretojë ndeshjen mirë. Ka një filozofi loje të ndërtuar me kujdes nga trajneri dhe duhet të bëjmë maksimumin. Ne kemi objektivat tona që ta kalojmë këtë tur”, tha Gjoka.
Për Ilir Dajën e Dinamos do të luajnë gjithçka për gjithçka.
“Natyrshëm që është shumë e vështirë, por nganjëherë e vështira është më e bukur kur arrihet. Do të shkojmë në Korçë për ta vlerësuar në maksimum, por për të luajtur gjithçka për gjithçka”, tha Daja.
Ndeshja tjetër e së mërkurës është Egnatia – Bylis. Skuadra nga Rrogozhina e ka fituar me rezultatin 3 – 1 takimin e parë. Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë nisin sot me përballjet Partizani – Laçi dhe Vllaznia – Elbasani.
Tv Klan