Selia e Ambasadës së Shqipërisë në Kiev pësoi dëmtime nga sulmet me raketa ruse, mëngjesin e kësaj të premteje, që goditën qendrën e qytetit.
Në një njoftim të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme thuhet se dëme pati si brenda ashtu edhe jashtë ambienteve të përfaqësisë diplomatike të Shqipërisë. Sipas njoftimit, deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar nga stafi i ambasadës, jeta e të cilëve gjithsesi u vu në rrezik.
Ambasada e Shqipërisë ndodhet në të njëjtën ndërtesë ku kanë selitë diplomatike edhe 5 vende të tjerë Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Portugalia, Argjentina e Autoriteti Palestinez, të cilat po ashtu u dëmtuan.
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Kliçko tha se në vala e sulmeve me raketa ruse goditi jo vetëm qendrën, por zona të ndryshme të kryeqytetit ukrainas, duke vrarë 1 person e duke plagosur 12 të tjerë, 6 prej të cilëve ndodhen në spital.
Zyrtarët e ushtrisë ukrainase thanë se në këtë valë sulmesh u përdorën 8 raketa, ndër të cilat edhe ato hipersonike Kinzhal dhe balistiket Iskander KN-23.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare.
Ministria jonë për Europën dhe Punët e Jashtme gjithashtu thirri në një takim urgjent ambasadorin rus në Tiranë, Zaitsev Alexei Anatolyevitch, të cilit i shprehu protestën e qeverisë shqiptare për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Kiev.
Për ngjarjen reagoi edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme Kaja Kalas, e cila tha se ky është një tjetër hap barbar i rusisë kundër objektivave civile, që nuk tregon dëshirën për paqe.
Tv Klan