Inspektimin e zonës së Rindërtimit në Kombinat ku ka nisur edhe hedhja e shortit për 500 apartamente të reja, Kryeministri Rama e shfrytëzoi për të shigjetuar gjykatës sipas tij të papërgjegjshëm që jo pak herë tha se kanë sabotuar betejën e maxhorancës gjatë procesit të rindërtimit.

“Edhe vonesa këtu në Kombinat e një pjese është e lidhur pikërisht me një lojë të bërë të individëve të caktuar me gjykatës dhe mashave politike që janë futur për ta penguar, sepse nëse do ishin bërë gjërat sipas kalendarit dhe pa këto pengesa, sot praktikisht gjithë investimi do kishte përfunduar”, thotë Rama.

Të njëjtin qëndrim e përforcoi edhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe.

“Janë bërë disa kërkesa padie e kjo ka bllokuar me vite. Kanë pranuar dhe transaksione e padi edhe pas datës së ngrirjes së çdo veprimi në këtë zonë, shitje e të tjera”, thekson Gonxhja.

Por pavarësisht pengesave dhe zvarritjeve, Rama premtoi se banesat e reja do jenë gati e falas për të dëmtuarit nga tërmeti.

“Durim, sepse siç po e shihni, shtëpitë të gjithë po i merrni më të forta, më të mira, më të bukura se ato që i kishit dhe mbi të gjitha falas”, shprehet Rama.

Përveç 500 apartamenteve që po ndahen me short, puna vazhdon edhe për pjesën tjetër të projektit ku do të strehohen të gjitha familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit. 

Tv Klan