Me më pak se dy javë deri në zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani, njerëzit në Berlin e cilësojnë ekonominë dhe emigracionin si çështjet më të rëndësishme.

E nëse ata vetë e rendisin emigracionin si çështjen më të rëndësishme, bien dakort se kjo do të mbizotërojë në axhendën e kandidatëve.

“Mendoj se një nga gjërat që i intereson më shumë njerëzit në Gjermani mund të jetë tema e emigrimit sepse është tema që është ngritur nga të gjitha partitë kryesore”, tha Maike Splettsttoehser.

“Për mua, natyrisht, ekonomia, siç thonë të gjithë. Por liria, demokracia dhe gjithçka, sigurisht politika e emigracionit, është gjithashtu shumë e rëndësishme, pothuajse gjithçka për të cilën njerëzit flasin”, tha Nuri Guldali.

Scholz ka premtuar për një kurs të ashpër në politikën e azilit. Nga ana tjetër, kreu i CDU Friedrich Merz ka theksuar, se dëbimet në kufijtë e Gjermanisë për emigrantët e paligjshëm janë të mundshme.

Në vitin 2023, Gjermania deportoi rreth 16,430 njerëz, një rritje e dukshme nga vitet e mëparshme. Në 11 muajt e parë të vitit 2024, gjithsej 18,384 individë u dëbuan nga Gjermania. Pavarësisht kësaj, politikanët po kërkojnë më shumë dëbime.

Nga ana tjetër, ekonomia është një tjetër çështje e nxehtë. Shkalla e papunësisë në Gjermani u rrit në fillim të vitit. 2,993,000 njerëz ishin të papunë në Janar, që korrespondon me një normë papunësie prej 6.4%.

Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) aktualisht është në vend të dytë, përpara SPD-së së kancelarit gjerman Olaf Scholz, me pasardhësin e tij të mundshëm, bllokun CDU/CSU të Friedrich Merz-it në rrugën e duhur për të fituar pjesën më të madhe të votave.

CDU/CSU dhe AfD fituan secila nga një pikë në sondazhin e fundit të opinionit nga instituti INSA, përkatësisht 30% dhe 22%. SPD ra në 15.5%.

Të gjitha partitë kanë përjashtuar mundësinë e formimit të një koalicioni me AfD, që do të thotë se bisedimet për formimin e një qeverie mund të zvarriten pas zgjedhjeve.

Klan News