Konservatorët dhe socialdemokratët e Gjermanisë njoftuan propozimet për të krijuar një fond prej 500 miliardë Eurosh që synon rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.

Udhëheqësit e të dy partive, të cilët janë në negociata për të formuar një koalicion pas zgjedhjeve muajin e kaluar deklaruan se ngjarjet e fundit në Shtetet e Bashkuara i nxitën ata për të vepruar.

“Duke pasur parasysh situatën në rritje të kërcënimit, ne jemi të vetëdijshëm se Evropa duhet të bëjë përpjekje të mëdha për të forcuar aftësinë mbrojtëse të vendit tonë dhe kontinentit evropian. Kjo është arsyeja pse ne duam të krijojmë një fond special prej 500 miliardë Euro për dhjetë vitet e ardhshme, nga i cili do të bëhen këto investime të nevojshme”, tha Friedrich Merz.

Merz tha se fondet në shpenzimet e mbrojtjes mund të vazhdojnë të rriten vetëm nëse ekonomia e Gjermanisë rikthehet në rrugën e rritjes së qëndrueshme sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Për momentin ne jemi duke menduar vetëm përgjatë linjave të një marrëveshjeje evropiane dhe një forcimi të mbrojtjes sonë. Ne e dimë se duhet të bëjmë më shumë. Evropa duhet të rritet dhe duhet të jetë në gjendje të mbrohet”, tha Merz.

Të gjitha këto propozime duhet të paraqiten përpara afatit të skadimit të parlamentit aktual, ku CDU dhe SPD do të shpresojnë të kenë mbështetjen e të Gjelbërve dhe FDP-së për të arritur shumicën e votave.

Lëvizjet nga Berlini vijnë përpara një samiti të Bashkimit Evropian të enjten, në të cilin vendet anëtare do të diskutojnë përgjigjen e bllokut pas ndryshimit të dukshëm në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara te Amerikës.

Klan News