Udhëheqësit evropianë mbështetën planet për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen dhe për të vazhduar të qëndrojnë në krah të Ukrainës.
Të 27 vendet anëtare të BE-së miratuan programin “Riarmatosja e Europës”, i cili do t’i lejojë të shpenzojë 800 miliardë Euro për mbrojtjen, ku nënshkruan edhe Hungaria dhe Sllovakia.
“Ne të gjithë duam nje paqe përmes forcës, një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Një fond i ri me 150 miliardë Euro do të përdoret nga prodhuesit evropianë dhe një pjesë e blerjeve duhet të jetë për Ukrainën. Prandaj, plani i riarmatosjes u mirëprit nga të gjithë liderët. Unë jam e bindur se do të përdoret”, tha Ursula von der Leyen.
Orbán nuk nënshkroi vetëm deklaratën ndaj një nisme mbarë europiane për të zëvendësuar ndihmën ushtarake amerikane.
“Arritja e ‘paqes përmes forcës’ kërkon që Ukraina të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm, me aftësitë e fuqishme ushtarake dhe mbrojtëse”, thuhet në deklaratë.
Ndërkaq, kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje për bashkimin e kompanive evropiane të armëve pas përfundimit të samitit të posaçëm të BE-së për Ukrainën.
“Kemi nevojë për një proces të madh bashkimi në industrinë evropiane të armëve dhe gjithashtu për mundësinë që këto kompani të punojnë së bashku”, tha Olaf Scholz.
Edhe Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se shpreson të shohë bashkëpunime deri në fund të gjysmës së parë të 2025 dhe po konsideron shtrirjen e arsenalit të saj bërthamor.
“Unë mirëpres konsensusin. Ajo që unë propozova ishte një bisedë strategjike me vendet anëtare për të hapur një debat mbi zgjerimin e arsenalit bërthamor të Francës për mbrojtjen e aleatëve”, tha Emmanuel Macron.
Presidentja e Komisionit Europian shpreson gjithashtu të mobilizojë më shumë kapital privat. Gjithashtu zotohet të rrisë presionin ndaj Rusisë duke vendosur sanksione të tjera.
Klan News