Ishin pikërisht mosmarrëveshjet financiare ato që çuan në rënien e qeverisë së Olaf Scholz dhe që pas zgjedhjeve rrezikonin sërish ta zhysnin Gjermaninë në krizë politikë. Ky skenar fatmirësisht nuk ndodhi pasi CDU/CSU, SPD dhe të Gjelbërit kanë rënë dakord për një paketë financiare dhe këtë e njoftoi kancelari në pritje Friedrich Merz gjatë një konference për shtyp në Berlin.
“Jam shumë mirënjohës që kemi treguar se socialdemokratët, të gjelbërt dhe ne, CDU/CSU, mund të punojmë së bashku dhe të arrijmë një kompromis të tillë. Grupi parlamentar i CDU/CSU sapo e miratoi unanimisht këtë propozim. Gjithashtu pres që të gjithë të jemi të pranishëm të martën e ardhshme dhe që kolegët tanë në grupin parlamentar të CDU/CSU të mbështesin gjithashtu këtë propozim”, tha Friedrich Merz.
Marrëveshja do t’i lejojë Gjermanisë të shpenzojë deri në 1 trilionë Euro për mbrojtjen dhe infrastrukturën gjatë dekadës së ardhshme.
“Është mesazh i qartë për partnerët dhe miqtë tanë, por edhe për armiqtë e lirisë sonë. Ne jemi gati të mbrohemi dhe tani jemi plotësisht të përgatitur për ta bërë këtë. Nuk do të ketë mungesë të burimeve financiare për të mbrojtur lirinë dhe paqen në kontinentin tonë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për mua, sepse ne, në Evropë dhe në NATO, po përballemi gjithashtu me një sërë vendimesh të rëndësishme në javët e ardhshme”, tha Merz.
Marrëveshja thuhet se u arrit pasi të Gjelbërve iu premtua se 50 deri në 100 miliardë Euro, pjesë e 500 miliardë Eurove të destinuara për infrastrukturën do të investohen në mbrojtjen e klimës.
Marrëveshja e re financiare hap rrugën që masat të kalojnë në Bundestag të martën. Qëllimi i Merzit është që amendamentet e kushtetutës të miratohen deri më 25 Mars, kohë në të cilën do të mblidhet parlamenti i sapozgjedhur.
Kjo për shkak se partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë dhe partia e Majtë, e cila kundërshton shpenzimet ushtarake, kanë forcën për të bllokuar reformat kushtetuese dhe si rrjedhojë edhe këtë paketë financiare.
Nëse amendamentet e kushtetutës miratohen përfundimisht, kjo do të shënojë një ndryshim historik nga dekadat e kufizimeve fiskale. Kjo do të çlironte një sasi të madhe parash për Gjermaninë për të rritur shpenzimet e saj të mbrojtjes dhe për të nxitur ekonominë.
Klan News