Tentoi të vriste vajzën për nder, por në fakt mendjen e kishte diku tjetër… te makina. Kjo është historia e një babai iraken në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai akuzohet për tentativë vrasje ndaj vajzës adoleshente në shtetin e Uashingtonit dhe pavarësisht kësaj gjëje, kur u arrestua mendjen e kishte më shumë te makina sesa te e bija.
Ihsan Ali i vuri duart në fyt vajzës 17-vjeçare derisa i ranë të fikët dhe goditi me grushta të dashurin e saj jashtë ambienteve të shkollës së tyre. Arsyeja? Sepse e bija refuzoi të martohej me një burrë më të madh në moshë dhe që jetonte në një vend tjetër.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë se Ali, bashkë me të shoqen, Zahraa Ali, kanë qenë më shumë të shqetësuar rreth faktit që policia mos u vjedh makinën teksa ndaj tij vendosen prangat.
“Zahraa, Zahraa, hajde këtu”, i bërtet ai të shoqes. Më pas i thërret edhe vajzës tjetër Haneen dhe të shoqes duke u thënë: Merreni makinën dhe largojeni që mos ta vjedhin. Morën makinën, do ta vjedhin. Makina, do ta vjedhin!
Ndërkohë vajza që i shpëtoi vdekjes ka treguar në polici se i ati e kërcënonte së fundmi me vrasje për nder pasi refuzoi që të martohej me njeriun që ia kishin caktuar ata. Ajo ishte larguar nga shtëpia dhe kishte kërkuar ndihmë te stafi i shkollës më 18 Tetor të vitit të kaluar. Kjo zemëroi prindërit duke e sulmuar vajzën.
“Nuk është e drejtë, nuk duhet ta bësh këtë”, i shprehej i ati teksa e mbyste me duart e veta. Në ngjarje kanë qenë të pranishëm edhe nxënës të tjerë që kanë ndërhyrë, ndërsa më pas erdhi edhe policia.
Ndërkohë Aliu 44 vjeçar dhe e shoqja e tij u akuzuan për tentativë vrasje, tentativë rrëmbimi dhe sulm. Edhe babai i të dashurit të vajzës së tyre, Victor Barnes, ishte shprehur se kishin pasur probleme me familjen Ali prej muajsh. Madje kishin kaluar në përplasje fizike duke i bërë që të merrnin urdhër mbrojtjeje.
Vrasja për nder është një praktikë që përdoret në disa shoqëri, ku anëtarët e familjes justifikojnë vrasjen e të afërmit të tyre, zakonisht grave, duke pretenduar se viktima ka çnderuar familjen./tvklan.al