Në Koçan të Maqedonisë së Veriut situata është e rëndë. 59 persona humbën jetën si pasojë e zjarrit që ra në diskotekën që njihej me emrin “Puls”. Kjo tragjedi ka shkaktuar një protestë të banorëve atje.
Siç shkruajnë mediat, qytetarët e revoltuar kanë shkatërruar një kafene të pronarit të diskotekës. Ngjarja ka ndodhur në mesnatë ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve.
Por protesta e banorëve vendas nuk është ndaluar me kaq. Ata shkatërruan edhe makinën e pronarit të diskotekës duke i thyer gjithçka që i takon atij.
Po ashtu, protestuesit kanë thyer edhe xhamat në Komunën e Koçanit, ku ditën e sotme kryetari i saj dha dorëheqjen. Qytetarët kërkojnë drejtësi për një nga ngjarjet më të rënda në Maqedoninë e Veriut që u mori jetën 59 të rinjve dhe 155 të tjerë mbetën të lënduar.
Deri tani policia ka arrestuar 20 persona që dyshohen se mund të jenë fajtorë për ngjarjen që ndodhi, ndërkohë që kanë shtuar edhe prezencën në qytet për të shmangur çdo përshkallëzim të situatës./tvklan.al