Në Kushtetutën amerikane ekziston një ligj i cili mund të shkarkojë presidentin nëse është i paaftë për të vazhduar këtë detyrë. Pikërisht këtë amendament kërkojnë demokratët të përdoret ndaj Donald Trump, pas dhunës që shpërtheu në Kongresi dhe që sipas tyre është nxitur nga presidenti në detyrë. Kongresistja Madeleine Deaan kërkoi të enjten që Trump të shkarkohet duke përdorur amendamentin e 25 të Kushtetutës.
“Shpresoj që të jetë e mundur. Mendoj se presidenti e ka provuar veten ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti si i paqëndrueshëm dhe i papërshtatshëm. Në këto ditë të zbehta të kësaj presidence të turpshme shpresoj që të jemi në gjendje që të përdorim amendamentin e 25. Nëse jo tani, kur do ta përdorim?”, tha në fund ajo.
Por çfarë është amendamenti i 25?
Në Kushtetutën amerikane, amendamenti i 25 thekson se presidentit mund t’i hiqet përgjegjësia nëse është i paaftë për të kryer detyrën e tij. Për të hequr Trump nga pushteti mbi të gjitha duhet që të jetë dakord zv/Presidenti Mike Pence. Ai ka nevojë për shumicën e zyrtarëve të kabinetit të Trump, të cilët duhet të pranojnë që presidenti është i papërshtatshëm për të drejtuar vendin dhe përkohësisht marrin pushtetin.
Trump mund ta kundërshtojë vendimin me një letër në Kongres. Më pas, Pence dhe kabineti kanë katër ditë kohë që ta kundërshtojnë Trump. Do të jetë Kongresi që do të vendosë në fund dhe miratimi kërkon një shumicë të cilësuar me dy të tretat e votave.
Amendamenti i 25 u krye pas vrasjes së John F. Kennedy, pasuesi i të cilit Dwight Eisenhower u godit nga disa sulme në zemër. Qëllimi i saj ishte të krijonte një linjë të qartë “trashëgimie” pushteti dhe të përgatitej për çdo ngjarje urgjente. Që prej momentit që është miratuar, amendamenti i 25 nuk është përdorur kurrë./tvklan.al