Kur një ekip i “National Geographic” zbuloi një çizme brenda së cilës kishte çorape që dolën në sipërfaqe nga një akullnajë e shkrirë në malin Everest në Shtator, ata menjëherë e kuptuan rëndësinë e saj si një çelës për një mister shekullor.
Një etiketë emri e qepur ende në çorapin e leshtë shkruante “AC Irvine”, duke zbuluar se ndoshta i përkiste alpinistit britanik Andrew “Sandy” Irvine. Zhdukja e Irvine në Everest në vitin 1924, së bashku me bashkatdhetarin e tij George Mallory është një nga misteret më të mëdha të alpinizmit.

Ata u zhdukën më 8 Qershor 1924, ndërsa u nisën për të përfunduar ngjitjen e parë të dokumentuar të malit më të lartë në botë. Por ende nuk dihet nëse ata arritën në majë dhe e shënuan momentin historik në jetën e tyre.
Trupi i Mallory u gjet i pajetë në vitin 1999, ndërsa fati i Irvine mbeti mister. As ai dhe as kamera që alpinistët mbanin (e cila mund të zbulonte nëse ata kishin arritur majën), nuk u gjetën ndonjëherë.

Ndërkohë ekipi i “National Geographic” janë duke pritur për konfirmimin e ADN-së, pasi kanë krahasuar mostrat nga këpuca me ato të marra nga anëtarët e familjes së Irvine. Kjo duket të jetë prova e parë e vdekjes që nga zhdukja e Irvine.
Menjëherë pas zbulimit të çizmes, ekipi informoi familjen e Irvine, përfshirë mbesën e tij Julie Summers, e cila ka shkruar një libër për alpinistin.
/tvklan.al