Personi që shihni në foto është 19-vjeçari, Paulin Preka që pasditen e së enjtes u gjet i vrarë në oborrin e shtëpisë së tij, në fshatin Guci e Re në Shkodër.

Ishte xhaxhai i viktimës që njoftoi policinë rreth orës 14:50 të së enjtes, pasi pa të ekzekutuar nipin e tij. Pavarësisht njoftimit dyshimet janë që vrasja është kryer disa orë më parë.

19-vjeçari rezulton të jetë qëlluar 8 herë, teksa të shtënat nuk janë dëgjuar nga familjarët apo komshinjtë e të riut.

Për zbardhjen e ngjarjes policia ka shoqëruar rreth 20 persona, të cilët pasi kanë dhënë deklarime janë lënë të lirë nga uniformat blu.

Deri tani, i riu rezulton të jetë një person pa precedent të mëparshëm penal, çka ka vështirësuar punën e policisë.

19-vjeçari, Preka jetonte mes Dukagjinit dhe Gucisë bashkë me babain dhe vëllain e tij, ku mësohet se merreshin me bagëti.

Të afërm e familjarë të të riut janë shprehur në polici se nuk janë në dijeni të ndonjë konflikti që viktima mund të kishte.

Megjithatë grupi hetimor po kryen verifikime në disa drejtime, qoftë rreth ndonjë aktiviteti të jashtëligjshëm apo konflikti që Paulin Preka mund të ketë patur së fundmi.

Tv Klan