Për të patur energji elektrike nuk vlen më motoja “Paguaj që ta kesh”. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes po ndjek një filozofi të re me rregullin “Më të thatin digjet edhe i njomi”.

Me këtë logjikë OSSH vazhdon të ndëshkojë edhe qytetarët shqiptarë që i paguajnë rregullisht faturat e tij, të rregulltat dhe të parregulltat.

Me këtë filozofi OSSH ka ndëshkuar një fshat të tërë prej ditësh, vetëm se disa familje nuk e kanë paguar energjinë.

Në Gucinë e Re, në Shkodër, OSSH ua ndërpreu energjinë edhe abonentëve të rregullt për plot 5 ditë dhe e ktheu atë vetëm të premten, pas denoncimit të këtij skandali në Televizionin Klan.

Pal Vuksani: “Tash 20 vjet e këtej që kemi filluar asnjë muaj skam ndenjur pa i paguar. Mirëpo për fat të keq vijnë një herë në 3 muaj, ne kërkojmë që të kemi drita dhe kërkojmë që të mos të rrimë asnjë minutë bosh për aq sa i takon.”

Hava Llukaj: “Unë jam paguese rregullisht, ja tek i ke librezat e mia po të duash ti shohësh. Qe shikoji librezat.  Gjithkush paguan për vete unë nuk kam faj për shembull në qoftë se nëna ime nuk ka me paguat këputja djalë i mirë në shtyllë.”

Xhema Llukaj: “ Në qoftë se s’mi japin thotë masat do të jenë drastike, do t’i këpusim tërë katundit, bëhet një presion psikologjik i cili s’është i drejtë. Unë kërkoj që të kem patjetër drita derisa unë i paguaj, nuk është e arsyeshme që të ketë një dënim kolektiv.”

Por ankesat e këtyre banorëve, të ngjashme me një pjesë të madhe të konsumatorëve në të gjithë vendin, shkojnë edhe për mënyrën e faturimit.

Mjaft prej tyre thonë se janë të detyruar të paguajnë fatura aforfe, ndonëse kanë aparatet matës.

Me sloganin “Ne sjellim dritë në familjet tuaja”, OSSH në realitet po u sjell errësirë edhe qytetarëve shqiptarë që e paguajnë energjinë./tvklan.al