Ditë më të gjata, lëkurë më të hidratuar dhe më shumë ngjyra! Pranvera po vjen bashkë me trende të reja, të freskëta grimi që janë po aq të larmishme sa vetë stina.

Po lëmë pas ngjyrat e zbehta të dimrit për gjallërinë e trendeve të 2025-ës. Lëkura e ndritshme dhe tonet lozonjare që do të na ngrenë humorin dhe do të na bëjnë të ndihemi më me vetëbesim vendosen në fokus. 

Kjo stinë ju jep mundësinë të rifreskoni rutinën e bukurisë dhe ta pasqyroni energjinë pranverore në pamje. Ekspertët kanë përcaktuar tashmë trendet kryesore drejt të cilëve do të kthejmë sytë këtë periudhë.

Buzët e kuqe

Buzëkuqi i kuq është rikthyer! Për disa kohë pamë kombinimet e kafesë, mavisë por yjet janë shfaqur shpesh me të kuqin ikonik tashmë. E kuqja e sezonit s’do të jetë vetëm nuanca e zjarrtë, por edhe ato në  ngjyrën e manaferrave apo të kuqes së thellë.

Sytë

Pjesa e kockës së syrit duhet bërë sa më e dukshme për të krijuar kontrast. Këtë pranverë, duhet diçka në ngjyrë të ftohtë, me shkëlqim që i jep dimension syrit.

Lëkurë mëndafshi

Ka pasur shumë diskutime për rikthimin e lëkurës mat, por duket se ndryshimi s’është ende konkret. Lëkura e hidratuar dhe e ndritshme do të vazhdojë të jetë trendi. Së pari, zgjidhni me kujdes produktet e rutinës suaj dhe më pas, një fondatinë që ka përbërës hidratues që shkrihen mirë në lëkurë.

Qerpikë ‘karamele’

Ngjyrat e ylberit s’do të jenë vetëm për qepallat tuaja. YSL dhe Dior kanë propozuar rimel me ngjyra të forta, të gjalla dhe ato që do të dominojnë janë nuancat blu dhe livandë.

Buzë metalike

Nostalgjia e Y2K! Edhe kjo pranverë do të vazhdojë të prezantohet me grim metalik dhe buzë me shumë shkëlqim e xixa. Për shumë prej nesh, një nga gëzimet e të luajturit me grim ishin xixat që i vendosnim kudo kështu që luani sërish!

/tvklan.al