Mbetet mister vrasja e 20-vjeçarit Paulin Preka, i cili u gjet i pajetë në shtëpinë e tij në fshatin Guci e Re. Gazetarja Emi Kalaja ka mësuar se deri më tani janë shoqëruar rreth 20 persona.

Bëhet fjalë për fqinj dhe shtetas të tjerë që mund të kenë dijeni për viktimën. Sipas të njëjtave burime në pyetje janë marrë edhe njerëz që njihen si problematikë në zonë.

Megjithatë deri më tani, uniformat blu nuk kanë asnjë autor të dyshuar të ngjarjes.

Paulin Preka jetonte mes Dukagjinit dhe Gucisë bashkë me babain dhe vëllain e tij pasi merren me bagëti atje. Familjarët kanë deklaruar se nuk e kanë idenë kush mund të jetë autori sepse nuk kanë qenë në dijeni të ndonjë konflikti.

20-vjeçarin e konstatoi të vdekur xhaxhai i tij, Nikolla. Viktima jetonte i vetëm në shtëpi ndërsa ushqehej te familja e xhaxhait që e kishte shumë afër.

Ata e kanë telefonuar disa herë për të ngrënë drekën, por i riu nuk i është përgjigjur. Për këtë arsye xhaxhai i shkoi te banesa duke menduar se mos ishte në gjumë.

Në ato momente e gjeti nipin të shtrirë në oborr. Mendohet se ngjarja ka ndodhur disa orë para se të gjendej trupi i pajetë.

Sipas burimeve, viktima ka një plumb në gjoks, çka i ka kushtuar vdekjen e menjëhershme. Policia ndërkohë vijon hetimet, por deri më tani nuk ka një pistë konkrete dyshimi për ngjarjen./tvklan.al