Pasi u lanë jashtë vendeve të sigurta në listën e kandidatëve për deputetë nga krerët e partive politike, 46 të zgjedhur aktualë të kuvendit do ta vijojnë betejën e tyre në 11 Maj në listë të hapur.
Në kampin rozë numri i deputetëve që do përballen në garë me njëri-tjetrin shkon në 34. Damian Gjiknuri, bashkëhartues i Reformës Zgjedhore është një prej tyre, vendimin e Edi Ramës për ta lënë atë në vendin e fundit të listës së hapur të Vlorës, e sheh si guxim të kryesocialistit për të eksperimentuar një rezultat më të mirë se ai i 2021-it.
“Kam 17 vjet në politikë, të gjitha fushatat i kam fituar. Rikthimi në Vlorë është një mundësi e mirë. Është një qark që unë kam dhënë shumë. I uroj suksese të gjithëve kandidatëve të PS. Edi Rama është një njeri që guxon dhe eksperimenton dhe kjo mund të jetënjë formulë e suksesshme dhe ne të arrijmë një rezultat më të mirë”, tha Gjiknuri.
Të tjerë socialistë pohojnë se dalja në fushë betejë ishte vendim i tyre.
“E kam sfiduar edhe herë tjetër, kështu e kam jetën me sfida. Kam refuzuar të jem në listë të mbyllur”, tha Kodheli.
Disa, lënia jashtë listave nuk i ka shqetësuar dhe kanë gati projektin e radhës.
“Në Shtator do të jem një avokat dhe ka nevojë ky vend, sidomos pas këtyre ngjarjeve, ka nevojë për avokat”, tha Naço.
Por ka edhe nga ata si Petro Koçi, që nuk u del inati.
“Lista e hapur në nivel rajonal do jetë derë jo vetëm një dritare, për krimin e organizuar. E pamë çfarë ndodhi. Nëse do ta lërë me lista të hapura ta lërë në nivel kombëtar dhe zgjedhësi të votojë me shumë se një kandidat”, tha Koçi.
Ndërsa në kampin blu në listë të hapur janë 12 deputetë, mes të cilëve një ndër gratë më të votuara në primare, Jorida Tabakut dhe Dhurata Çupi. Që të dyja e pohojnë se sikundër në çdo betejë edhe atë të 11 Majit do ta fitojnë.
“A mendoj unë se e meritoja të isha në listën e mbyllur me shumë modesti them se e meritoja se besoj se jam figurë përfaqësuese e qytetit të Tiranës. I kam fituar të gjitha beteja e mija në Partinë Demokratike. I kam fituar të gjitha betejat e mija në parlament dhe do ta fitojë dhe këtë betejë”, tha Tabaku.
“Edhe në zgjedhjet e 2021-t pothuajse kam qenë në listën e hapur të Qarkut të Dibrës, jam votuar edhe në Primare dhe besoj fort se edhe në 11 Maj qytetarët do të më votojnë si deputete e Tiranës”, tha Çupi.
Më zemërthyeri në gjirin e demokratëve Dashnor Sula, pasi u la jashtë listës së mbyllur, nuk vonoi për t’u bërë pjesë e një koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
“Unë nuk mund të lejoj, po përdor këtë termin, të përdhunohem, kam sakrifikuar për atë parti jetën, familjen time dhe jam i vetmi person që s’kam përfituar kurrë dhe nuk kam marrë kurrë ofiqe”, tha Sula.
Jashtë listave të kandidatëve në kampin rozë mbetën 24 deputetë, ndërsa në selinë blu 12 të zgjedhur.
Tv Klan