Në morinë e qefmbetjeve dhe zemërthyerve në radhët e të vetëve, Sali Berisha ndryshe nga çdo e enjte që e gjen në parlament doli përpara mediave për të hedhur poshtë zërat se disa prej kandidatëve, përfshi edhe deputetë të Partisë Demokratike janë larguar për shkak se nuk u përfaqësuan në listën e mbyllur.
“Një pjesë, nuk është e vërtetë se kanë braktisur se nuk janë në zonë të sigurtë. Një pjesë e tyre, më përpara kanë bërë të ditur se nuk do të hyjnë në garë. Dhe cilido, le të bëjë një check up tek lista e kandidatëve që kanë hyrë në garë. Pra, kanë preferuar të vazhdojnë jetën e tyre private. Në tërësi, deputetët kanë pranuar verdiktin e listës. Tani, nuk po flas për ndonjë që nuk e pranoi verdiktin”, tha Berisha.
Një ndër ta, Dashnor Sula iu bashkua Nismës “Shqipëria Bëhet”. Sali Berisha respektoi zgjedhjen e deputetit demokrat, ndërsa ironizoi marrjen e tij në mbrojtje nga ana e Kryeministrit.
“Mbrojtja e kryeministrit është puthja e Judës për Dash Sulën, i cili ka karrierën e tij. Por, mendoj se, hapi që bëri, të rreshtohet me opozitën e opozitës, pra de facto, me një patericë të Edi Ramës nuk është zgjidhja, në vlerësimin tim. Megjithëse unë, e theksoj këtu, respektoj zgjedhjen si thelbin e lirisë të çdo individi”, tha Berisha.
Berisha vlerësoi ekipin me të cilin synon t’i rikthejë në pushtet demokratët pas 12 vitesh qëndrimi në opozitë, teksa shigjetoi kandidatët në kampin kundërshtar.
“Politikanë me eksperiencë dhe të përkushtuar, promotorë të kauzave të drejta dhe të mëdha të qytetarëve shqiptarë. Ndërkohë, shqiptarët panë listën e Skapit në krahun tjetër. Ministrat, si Lubia, si Mazniku 1000 euro bifteku. Listë të mbyllur. Po Çuçi, që i detyrohet familjarisht 10 milionë euro të vjedhura. Po Vengu? Dezertori i NATO-s. lista e mbyllur është lista e mafies, është lista e Skapit e Edi Ramës. Të shkojmë tek lista e hapur. Hajdutë dhe patronazhistë. Po Ceno Klos të dytë nuk bën”, tha Berisha.
Gjatë daljes përpara gazetarëve kryedemokrati tha se nga 140 kandidatura të koalicionit, 85 janë burra 55 ë gra, 25 të rinj dhe 7 janë përfaqësues nga diaspora.
Tv Klan