Edi Rama ka shpjeguar një ditë pas dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë në KQZ metodologjinë dhe filozofinë që u ndoq për ndërtimin e skuadrës së 11 Majit.
“Listat e hapura dhe partia e mbyllur, listat e mbyllura dhe partia e hapur. Këto të dyja kanë qenë linjat strategjike të këtij procesi”, tha Rama.
Rama vlerëson shumë ata deputetë aktualë që nuk u ankuan edhe pse janë në listë të hapur pasi sipas tij në parti ka një kohë për të marrë dhe një për të dhënë. Ai thotë se kjo është e vetmja mënyrë për të imponuar kthimin e një force politike në një kënetë, epiteti i preferuar për kundërshtarët.
“Unë po ju them të mijëve, doni, s’doni, partia do hapet se PS-ja e 2030 nuk mund të jetë kënetë, se uji i ndenjur bëhet kënetë”, tha Rama.
E duke folur për kundërshtarët listën e mbyllur të Tiranës e sheh si shëmbëlltyrën e të gjithë asaj çka shqiptarët duhet të refuzojnë të votojnë në 11 Maj.
“Doni të shihni kush janë VIP-at e kënetës, shikoni skuadrën në listën e mbyllur të kryeqytetit të Shqipërisë madhështore. Ku mungon Kujtim Gjuzi i cili po përdoret ose më saktë po keqpërdoret në mënyrë brutale sepse është i vetmi që do ta kishte merituar të ishte aty në skuadrën e mbyllur shif se të kanë thënë “mangi questa minestra”, se ti je nga Italia më duket Pashkë, e di ça do me thënë, haje këtë çorbë se s’ke ku shkon, s’ke rrugë tjetër. Haje, shif, merri, shifi një nga një, një nga një gjithë tribunën VIP këtej, do ti s’do ti, s’do ti ata të shkojnë në Parlament. I ke në parlament. Vlonjatët merr shifini, shifini Leskon bashkë me Dulen keni ju, demokratët e Vlorës, atje. Çfarë jeni ju? Çfarë patriotësh? Çfarë patriotësh jeni ju? Çfarë i doni? Çfarë të mirë i doni Vlorës ju? Nëse shkoni me Leskon e me Dulen”, tha Rama.
Kryeministri veçon disa emra nga listat të përfshirë në listat e PS që janë prurje nga selia blu pasi sipas tij në këto zgjedhje duhet të votohet përtej të majtës dhe të djathtës.
“Alban Zeneli në Kukës. Alban Zeneli ka qenë deputet i Partisë Demokratike, ai Partinë Demokratike do me qejf po nga ana tjetër, nuk do bufin dhe nuk do tribunën VIP të kënetës kështu që ka hapësirën të jetë këtur”, tha Rama.
Tv Klan