Ditët e fundit të Nëntorit do të mbyllen me temperatura tipike dimri. Sipas sinoptikanëve, duke nisur prej të enjtes do të rriten temperaturat, ndërkohë që të premten mos harroni të merrni çadër me vete pasi do ketë reshje shiu në mbarë vendin.
Edhe pse jemi ende në vjeshtë temperaturat e kësaj jave janë tipike dimri.
“Temperaturat vërtetë janë të ulëta. Ne jemi ende në vjeshtë, por kemi temperatura tipike dimri. Temperatura minimale më e ulët është shënuar në Peshkopi -4 gradë, -2.5 në qarkun e Korçës, -3 , -4 janë edhe në zonat e thella malore. Megjithatë parashikohet që vlerat maksimale të ngjiten në 17 gradë. Janë temperatura pak më të ulëta seç duhet të jetë përsa i përket nëse i krahasojmë me vlerat e Nëntorit,” tha Lajda Porja.
Sipas parashikimeve të sinoptikanëve, prej të Enjtes do rriten temperaturat, por do të shtohen edhe vranësirat duke bërë që të premten të ketë reshje shiu.
“Deri ditën e enjte moti do të jetë kryesisht i kthjellët, vranësirat do të jenë të lehta dhe kalimtare. Parashikohet që dita e enjte dhe e premte të sjellin rritje të ndjeshme të temperaturave duke bërë që të enjten dhe të premten të kalojë në vlera pozitive në zonat malore në mëngjes. Maksimalet sërish do të ngjiten ne 20 dhe 21 gradë, megjithatë të premten e kemi një ndryshim të situatës së motit. Kemi një sistem vranësirash i cili parashikohet të futet të enjten gjatë natës duke bërë që dita e premte të ketë rreshje. Kështuqë deri ditën e enjte moti i qëndrueshëm, të premten çadrat me vete”, tha Lajda Porja.
Klan News