Takimi i parë i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit, i planifikuar të mbahej të mërkurën në Bruksel, dështoi të mbahej pasi që delegacioni i Serbisë refuzoi të marrë pjesë, në shenjë proteste pas aksionit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të Serbisë.

Në Bruksel, delegacioni i Kosovës u takua me përfaqësues të ekipit të të dërguarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. REL-i merr vesh se ekipi evropian ka pasur takime edhe me delegacionin e Serbisë, por jo në kuadër të takimit të Komisionit të përbashkët.

Kryetari i Komisionit qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, reagoi në llogarinë e tij në Facebook pas dështimit të takimit, duke e quajtur arsyetimin e delegacionit serb “banal” dhe “të dëmshëm për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”.

“Kjo demonstron për të disatën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëhërë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me çështjen e personave të zhdukur“, shkroi Hoti.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se “e ka braktisur atë takim”, për shkak të ndodhive në Kosovë.

“Kurti nuk do dialog, por dhunë”, u tha ai gazetarëve në Bruksel.

I pyetur nëse u mbajt takimi për të pagjeturit, Petkoviç tha: “Natyrisht që jo. Çështja e të pagjeturve është e rëndësishme… por Kurti e ka mbytur dialogun, e ka mbytur takimin e sotëm”.

“Besoj se Lajçaku ka bërë gjithçka që ka mundur, por mund të ishte bërë edhe më shumë dhe të kishte më shumë mirëkuptim për popullin serb në Kosovë, sepse për një gjë të tillë kemi paralajmëruar gjatë gjithë kohës”, tha Petkoviç.

Por, burimet e REL-it thanë se Petkoviçi nuk ishte i supozuar të merrte pjesë në takim.

Po ashtu, sipas njoftimeve të mëhershme të BE-së, takimi ishte parashikuar të ishte vetëm takim i Komisionit për të pagjeturit dhe jo takim i radhës në kuadër të dialogut, ku do të merrnin pjesë kryenegociatorët.

Në takim, delegacioni i Kosovës do të udhëhiqej nga Halil Cenaj, qysh edhe kishte bërë të ditur kryetari i Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

Ndërkaq Serbia, para takimit të paraljmëruar nuk kishte bërë të ditur se kush do ta udhëheqë delegacionin e saj.

Në reagimin e tij, Hoti u shpreh i befasuar për pjesëmarrjen e Petkoviçit dhe tha se “prania e tij është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit”.

Të mërkurën autoritetet e Kosovës njoftuan se kanë mbyllur organet komunale serbe në dhjetë komuna në jug të lumit Ibër, si dhe zyrat postare dhe të Administratës Tatimore të Serbisë.

Kosova kishte filluar mbylljen e institucioneve serbe qysh në fillim të vitit 2024. Pas aksionit të fundit, autoritetet në Serbi thanë se do t’i marrin të gjitha masat “për të mbrojtur popullin serb” në Kosovë.

Çfarë është Komisioni i përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit?

Ngritja e këtij komisioni është bërë në bazë të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.

Sipas burimeve në BE, në takimin e së mërkurës nuk pritej ndonjë veprim konkret, por pritej që ai të ishte një takim më shumë i karakterit simbolik dhe ceremonial.

Burimet në Bruksel kishin thënë se takimi do të duhej të shërbente si rast që palët të paraqisnin prioritetet e tyre dhe të merreshin vesh për datat e takimeve të ardhshme.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar që të formonin këtë komision të përbashkët për të zbatuar Deklaratën dhe BE-ja e kishte cilësuar si një nga rezultatet më të rëndësishme të dialogut vitin e kaluar.

Deklarata politike ishte arritur në maj të vitit 2023 ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Megjithatë, deri më tani nuk është bërë ndonjë veprim konkret për zbatimin e saj, teksa familjarët e më shumë se 1.600 persona të pagjetur – kryesisht shqiptarë – me ankth presin të dinë për fatin e më të dashurve të tyre.

Një nga ta është edhe Fitim Dubovci, i cili kërkon babanë e tij të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë më 1998-1999.

“Babanë e kanë marrë të gjallë, por, sot, vetëm 1 për qind besoj se mund të jetë i gjallë diku”, tha ai për REL-in në prill të vitit 2024.

Fitimi nga Çikatova e Drenasit, përveç babait ka edhe pesë familjarë të tjerë të zhdukur.

“Sa e sa familjarë të personave të zhdukur tashmë kanë vdekur ‘me sy hapur’, sepse nuk e kanë ditur ku i kanë më të dashurit e tyre”, tha ai.

BE-ja ka thënë më herët se për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur duhet funksionalizimi i Komisionit të përbashkët.

Megjithatë, në të kaluarën palët kishin akuzuar njëra-tjetrën për mungesë të gatishmërisë për të dhënë informacione për të pagjeturit si dhe mungesë të qasjes në dokumente relevante dhe arkiva ushtarake të rëndësishme për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Në Deklaratën për Personat e Zhdukur thuhet se palët angazhohen për identifikimin e vendeve të varrimit dhe më pas që në to të gërmohet.

Aty, po ashtu, palët pajtohen që të ofrojnë qasje të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që do të ndihmonin në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur në periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000.

“Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst”, thuhet në Deklaratë.

Në këtë Deklaratë nuk përmenden arkivat ushtarake apo policore, që Kosova ka kërkuar që Serbia t’i hapë pasi thotë se në to janë edhe informacionet për të zhdukurit.

Megjithatë, aty përmenden dokumentet me status të klasifikuar, që sipas njohësve, iu referohet dokumenteve konfidenciale apo arkivave shtetërore ushtarake dhe policore, të cilat, sipas tyre, do të ndihmonin në gjetjen e personave të pagjetur.

Kosova ka kryer gërmime në lokacione të ndryshme ku dyshohen për mbetje mortore të personave të vrarë gjatë luftës. Por, autoritetet shpesh kanë thënë se problemi qëndron në lokacionet në Serbi, ku dyshohet se janë varrosur viktimat e luftës në Kosovë.

Në rajon, nga konfliktet në Kroaci dhe Bosnja e Hercegovinë zbardhja e fatit të personave të zhdukur po ashtu është pjesë e punës së komisioneve të përbashkëta mes këtyre shteteve./REL