Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në mbrëmjen e 21 shkurtit, ka arrestuar 5 anëtarë të dyshuar të një “grupi të organizuar kriminal”, të cilët kishin planifikuar kryerjen e veprës penale “vrasje” dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” ndaj 2 personave në Pejë.
“Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e 5 personave të dyshuar: D.R., R.B., SH.K., F.Q., dhe D.M., të cilët me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas një komunikate për media, Policia ka bërë të ditur se ka kryer kontrolle në 6 lokacione të ndryshme, në të cilat janë gjetur dhe sekuestruar armë, përfshirë: granata dore, pushkë, revole dhe municion i kalibrave të ndryshëm.
Përgjatë operacionit policor është thënë të jetë sekuestruar edhe një sasi e lëndës narkotike, telefona celularë si dhe dëshmi tjera materiale, të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve./REL