Parlamenti shqiptar dhe ai Europian nuk mundën që të dalin me një rezolutë të përbashkët në përfundim të takimit të mbledhjes dy ditore të Komitetit Ndërparlamentar për Stabilizim-Asocimin. Shkak u bë vota kundër e deputetëve të opozitës, të cilët thanë se nuk mund të votonin pro draftit përfundimtar pasi të gjitha propozimet e tyre me amendamente u rrëzuan.
Toni Gogu: Voton me shumicë të theksuar delegacioni europian, por për shkak se delegacioni shqiptar nuk mundi të bëjë shumicën për të votuar këtë rezolutë të përbashkët për të cilën punuam dy ditë. Kolegët e opozitës nuk e panë të arsyeshme të japin votat, nuk miratojmë dot rezolutë të përbashkët kësaj radhe.
Gazment Bardhi: Nuk ka patur përfaqësues të opozitës në hartimin fillestar të asaj rezolute dhe fakti që më vonë asnjë prej amendamenteve tona thelbësore nuk u miratua, na detyron të votojmë kundër. Por kjo nuk nënkupton që opozita, Partia Demokratike e Shqipërisë nuk e mbështet procesin e integrimit. E mbështesim plotësisht si një aspiratë të popullit shqiptar.
Jorida Tabaku: Ishin amendamente që reflektojnë shqetësimet e opozitës. Ishte mazhoranca e para që hodhi poshtë me votë propozimet që ne kishim bërë, nuk ishim ne të parët që e refuzuam. Mund të kishim gjetur një dakordësi, por ajo jepet nga ai që ka më shumë pushtet. Fatkeqësisht mazhoranca refuzoi të votonte pro rekomandimeve tona.
Oerd Bylykbashi: Ndërkohë që jeni këtu dhe ne mbajmë dy ditë takim dhe flasim për të drejtat politike e kushtetuese. Drejtuesit politikë në të 12 qarqet e Shqipërisë janë duke u thirrur nga policia…
Ndërhyn Gogu: E panevojshme…
Eurodeputetët u përpoqën deri në minutën e fundit që të zgjidhnin mosmarrëveshjet mes palëve, por kompromisi nuk u arrit.
Eurodeputeti: Ne duhet të arrinim një kompromis. Ne bëmë disa lëshime nga ana jonë. Edhe në Parlamentin italian kemi dallime, e njëjta gjë ndodh edhe këtu. Ne duhet te abstenojmë në raste të tilla. Duke abstenuar ju, mund të tregonit që në këtë takim kishte dallime në mendime.
Klan News