Në një ditë të errët, Rozi gjeti një familje që nuk e kishte imagjinuar se do ta kishte. Siç tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty”, është lindur në Bushat të Shkodrës, më pas jetoi në Fushë-Arrëz të Pukës dhe erdhi në Tiranë për studime.
Kishte pak muaj që gjendej në kryeqytet dhe më 1 Maj të 1977-ës, shkolla qe pushim dhe mund ta kalonin fundjavën në shtëpi. Kujdestarja nuk e lejoi Rozin duke menduar se Fushë-Arrëzi qe shumë larg dhe e trishtuar, ndenji në konvikt.
Ajo pasdite nuk do të mbyllej aty, por në shtëpinë e gruas që Natasha ka ftuar sot në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Rozi: Vonë, duke u errur, kur shoh shoqen të cilën kam ftuar, Natasha nga Kruja, e shoh me një burrë të cilin nuk e njihja atë burrin se nuk e kisha takuar ndonjëherë. Ai zotëria më përshëndet, më thotë “gocë, çkemi, mirë?” Dhe hyn brenda te zyrat e konviktit, Natashën e lë me mua. I them, Natashë, kush është ky? Tha “babi”, ah lala se i thërrisnin lalë krutanët. Në atë kohë me Natashën nuk kam qenë shoqe e ngushtë dhe i them për çfarë keni ardhur dhe thotë “kemi ardhur për të të marrë” sepse kjo kur ka shkuar në shtëpi e kanë pyetur prindërit dhe kjo iu ka thënë që “një shoqe është vetëm në konvikt, shoqe klase”. Ky i ka thënë “hajde të shkojmë të marrim gocën”, pa hiç, pa menduar, pa asgjë.
Ardit Gjebrea: Të të merrnin në shtëpinë e tyre?
Rozi: Po, vijnë atje, i marrin leje kujdestarisë. Në atë kohë mbaje përgjegjësi për atë person që merrje në shtëpi.
Ardit Gjebrea: Sigurisht.
Rozi: Të marrësh në shtëpi një person që s’e njeh dhe nuk është prej aty afër…
Ardit Gjebrea: Dhe 16 vjeçe!
Rozi: Dhe vajzë për ta cilësuar pak më shumë, ishte një përgjegjësi shumë e madhe. I thashë Natashës si të më marrësh në shtëpi se të jesh shoqe e ngushtë edhe të merr se njihesh, por s’njiheshim, vetëm shoqe e thjeshtë. Vjen lala dhe thotë “hajdeni goca tani” dhe na merr të dyja, na hedh dorën në sup e na merr me vete dhe nisemi për Krujë. Me thënë të drejtën, unë krejt e shtangur se s’njihesha dhe kam ndenjur të premten mbrëma, të shtunën e deri të dielën pasdite. Që atë ditë, më 30 prill të ‘77-ës dhe deri sot, ne hyjmë dhe dalim me ta, kemi miqësi. Vitin e dytë të shkollës Natasha marton vëllanë dhe lala na thërret familjarisht. Më habit diçka, respekti që na dhanë sepse na caktuan dasmorë që të shkonim të merrnim nusen.
Ardit Gjebrea: Si krushq?
Rozi: Si krushq. Në veri, të respektosh kështu është diçka shumë e madhe. Harrova diçka, që, në këtë periudhë që ishim në shkollë, rruga Tiranë-Krujë u bë për mua u bë shtëpi.
Ardit Gjebrea: Shkoje shpesh?
Rozi: Shumë shpesh.
Ardit Gjebrea: Më shpesh shkoje në Krujë sesa në Fushë-Arrëz.
Rozi: Në Fushë-Arrëz shkoja vetëm kur mbyllej shkolla, njëherë në vit.
Pengu i Rozit në këtë miqësi të gjatë me Natashën është dasma e kësaj të fundit. Një vonesë bëri që ajo mos ta shihte dot shoqen e ngushtë me fustan të bardhë. Në dasmën e Rozit, Natasha erdhi duke i dhuruar të gjithë botën. Edhe në muajin e mjaltit, Rozi zgjodhi të qëndronte te “njerëzit më të mirë që ekzistojnë.
Rozi: Në atë kohë nuk funksiononin mirë, telefona e gjëra kështu s’kishim dhe telegrami nuk mbërriti. Kështu më ka ngelur pak…
Ardit Gjebrea: Nuk dinit gjë ju se kur…
Rozi: Ne s’dinim se kur do të martohej, asgjë.
Ardit Gjebrea: Por kur e morët vesh?
Rozi: Ne e kemi marrë vesh pas…më pak se një viti. Atëherë kam shkuar me vëllanë, e kam takuar Natashën me gjithë të shoqin, Fatmirin, që siç ka emrin është i shoqi.
Ardit Gjebrea: Pra ju i keni ruajtur lidhjet?
Rozi: Posi! Mbrapa, kur jam martuar unë, janë lajmëruar dhe thashë uh, erdhën këta, sikur më erdhi tërë bota! Im shoq, Ludoviku, duke qenë oficer, duke qenë në gatishmëri nuk i jepnin shumë leje asokohe se ishte gatishmëri, na sulmon ish-jugosllavi dhe i dhanë pak leje, vetëm 10 ditë.
Ardit Gjebrea: Pra nuk ishte një muaj mjalti ose të paktën dy javë, nuk ishin.
Rozi: Jo.
Ardit Gjebrea: Ku i kaluat ato 10 ditë, në cilin qytet bregdetar shkuat, në cilin plazh apo…
Rozi: Në qytetin dhe njerëzit më të mirë që ekzistojnë, te lala.
Ardit Gjebrea: Te lala! Bëre muajin e mjaltit te shtëpia e lalës?
Rozi: Te lala.
Ardit Gjebrea: Domethënë ato ishin pushimet më të bukura për ju.
Rozi: Më të bukura! Ato u prezantuan, ndenjën dhe lala thoshte “sa lezet, martova vajzën, doli prej shtëpisë së vajzërisë dhe erdhi prapë te shtëpia e vajzërisë”./tvklan.al