“Ka Një Mesazh Për Ty” ka dalë nga studioja e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për të shkuar tri orë larg Tiranës, në Podgoricë. Me rastin e festës së 8 Marsit, është organizuar një festë për gratë shqiptare që jetojnë në Mal të Zi. Ambasadorja e Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto ka ftuar Ardit Gjebrean për të zbuluar historitë e grave që përpiqen të ruajnë identitetin.
Siç ajo shpjegon, shqiptarët në Mal të Zi kanë bërë progres pasi mund të përdorin gjuhën, simbolet kombëtare, kanë shkolla shqipe dhe një degë në universitet, por ka ende punë përpara. Ndihet ende mungesa e përfshirjes së tyre në administratë e qeveri dhe përpjekjet nuk reshtin.
Në prezantimin me gratë shqiptare në Mal të Zi ndahen historitë e tyre. E para është Sandra e cila drejton një prej televizioneve të para shqiptare atje duke vijuar misionin e bashkëshortit të ndjerë. Sfidës së Sandrës si grua shqiptare në Mal të Zi i shtohet edhe të qenët nënë e 4 fëmijëve, por ajo është e vendosur për të mos u dorëzuar.
Ardit Gjebrea: Si e keni hapur televizionin?
Sandra: Televizionin e ka hapur bashkëshorti im i ndjerë në vitin 2001 dhe si ide që të jetë një shtëpi ku të gjithë shqiptarët mund të vijnë, flasin dhe të kenë zërin, çdokush të kenë derën hapur që të thonë atë që u mungon, që kanë dëshirë dhe çfarë u takon normalisht shqiptarëve në Malin e Zi.
Ardit Gjebrea: Ju thoni bashkëshorti i ndjerë, nuk jeton më?
Sandra: Nuk jeton më që prej 15 vjetësh.
Ardit Gjebrea: 15 vite, pra pas 9 viteve ju duhej juve që ta udhëhiqnit.
Sandra: Po.
Ardit Gjebrea: Ishte e vështirë?
Sandra: Shumë. Ishte e vështirë sepse humb shokun e jetës, humb të gjitha ëndrrat, dëshirat, planet që ke pasur dhe duhet të vendosësh që çfarë do të bësh. A do ta mbash tashmë këtë barrë sepse ka goxha obligime, sakrificë, edhe kur ke 4 fëmijë shumë të vegjël.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishin?
Sandra: Vajza e madhe ishte 11, djali është me spektrin e autizmit, djali kishte 8, vajza tjetër kishte 4 dhe e vogla kishte 2.
Ardit Gjebrea: A ka pasur ndonjë moment që thonit se duhet ta mbyll televizionin?
Sandra: S’ka pasur ndonjë moment që do ta them se duhet ta mbyll, por ka pasur momente që kam thënë pse, çfarë më duhet mua gjithë kjo sakrificë e gjithë kjo punë? Por ku e di unë, njeriu forcohet, e kam marrë si mision të burrit tim. Ai e ka pasur si fëmijë të vetin, nuk e ka parë më si biznes, e ka parë si diçka që donte ta bënte për shqiptarët e Malit të Zi./tvklan.al