8 Marsi është Dita e Gruas për të festuar qenien e saj, por festa s’do të qe e plotë pa kuptuar sfidat dhe fitoret e gruas edhe kur duket e pamundur. Gratë shqiptare në Mal të Zi janë një nga rastet kur sakrifica me dëshirën për të bërë ndryshimin dhe ruajtur identitetin, bashkohen duke rezultuar në një triumf.

Në vizitën në Podgoricë në kuadër të një aktiviteti që ambasada shqiptare në Mal të Zi ka organizuar,  drejtuesi i programit “E  Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea njihet me disa histori. Gratë e vajzat shqiptare në Mal të Zi ndajnë rrëfimet e tyre me rubrikën “Ka Një Mesazh Për  Ty” si Sabina që i është dashur të tejkalojë paragjykimet për të studiuar në Austri dhe dhënë më pas kontributin e saj.

Mbresëlënëse është edhe historia e Zylfie Gjoni Durakut, mjekes së parë shqiptare në Malin e Zi që e ka ndier diskriminimin në lëkurë. Duke iu mohuar specializimi, ajo la punën që të shkonte në Novisad e të  kthehej si mjeke gjinekologe. Bashkë me dy kolege të sajat, kanë kontribuar në çeljen e maternitetit në Ulqin që pati një nisje të mbarë që në ditën e parë të tij.

Ardit Gjebrea: Në cilën moshë ju keni filluar të ushtroni profesionin si mjeke?

Zylfie Gjoni Duraku: Në moshën 25-vjeçare. Ka qenë një kënaqësi e madhe për popullin tonë shqiptar kur te mjeku nuk ka pasur më nevojë të marrin përkthyes për të përkthyer një pacient, por janë në gjuhën shqipe kështu që ka qenë vërtetë shumë mirë për ta dhe për mua të jap kontrbutin tim popullit tim. Dihet, ne kemi qenë të diskriminuar, ana jonë profesionale ndoshta që personalisht unë kam përjetuar diskriminim për fat të keq. Unë si mjeke kam punuar për 13 vite në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin dhe nuk më është dhënë specializimi. Duke mos m’u dhënë një specializim, kam lënë punën në kohën kur ndoshta dikush kërkon punë, unë kam lënë punën vetëm e vetëm të kryeja specializimin e gjinekologjisë për arsye se kemi pasur një mjek shqiptar i cili vdiq shumë i ri dhe gratë në Ulqin mbetën pa gjinekolog. Atëherë ia kam vënë vetes detyrë që të lë fëmijët, të shkoj në Novisad me vetëfinancim, me vetëfinancim kam kryer specializimin për t’u kthyer si gjinekologe e për të ndihmuar gratë tona. Jo vetëm unë, kam dy koleget e mia që jemi rast unik në Mal të Zi dhe jemi bërë faktorë kyç për çeljen e maternitetit në Ulqin. Në 2005 është çelur materniteti në Ulqin që kemi bërë një punë shumë të madhe dhe ka qenë kënaqësi e madhe që ditën e parë që është çelur materniteti kemi lindur fëmijën e parë, banorin e parë të Ulqinit. Ajo do të mbetet për mua, gjëja më e bukur e atij materniteti që Ulqini është bërë me banorët e vet, se ne kemi lindur në spitale të tjera dhe shkruhej banor i Tivarit, nuk shkruhej banor i Ulqinit dhe për mua, profesioni im nuk ka qenë vetëm profesion, por ka qenë mision! Pra të jemi shqiptarë, të lindim aty ku kemi të drejtë dhe të shkruhemi se jemi banorë të Ulqinit, të kemi të drejtën të flasim këtë gjuhë të bukur, të ruajmë kulturën tonë, identitetin tonë, të luftojmë për të drejtat tona, legjitime dhe të mos heqim kurrë dorë!/tvklan.al